|
Vlerësime nga Kosova | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri britanik Toni Bler ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe si udhëheqës i Partisë Laburiste. Politikanë nga mbarë bota kanë reaguar ndaj njoftimit me vlerësimet e tyre për figurën e zotit Bler dhe kontributin e tij në skenën politike ndërkombëtare. Violeta Hyseni e BBC-së bisedoi me udhëheqësin e Partisë Reformiste ORA, Veton Surroin, dhe fillimisht i kërkoi një koment rreth njoftimit për dorëheqjen e Toni Blerit nga posti. Surroi: Unë mendoj se nuk duhet të hyjmë në detaje teknike të largimit e të marrëveshjes që është arritur brenda kampit laburist, por mendoj se ky është momenti kur duhet t'i shprehet një falenderim i jashtëzakonshëm kryeministrit Blair, jo vetëm për të gjitha ato që ka bërë në Kosovë, por në emër të ndërtimit të një filozofie të ndërhyrjes humanitare, e cila jo vetëm që e ka çliruar Kosovën ne momentet vendimtare, por ka ndihmuar që të mendohet ndryshe për rolin e fuqive të mëdha karshi krizave humanitare dhe karshi vuajtjeve të popujve. BBC: Zoti Surroi, si e keni njohur ju z. Blair dhe në çfarë rrethanash? Surroi: Unë nuk e kam njohur shumë thellë, e as personalisht zotin Blair, por administratën e tij, e posaçërisht ish-ministrin e jashtëm, të ndjerin Robin Cook, me të cilin kam pasur afërsi shumë më të madhe. Kryeministri Blair ka krijuar një ambient të atillë qeverisje dhe shoqërore do të thosha në shoqërinë britanike që ka ndryshuar thelbësisht edhe në marrëdhëniet tona personale. BBC: Çfarë ju ka lënë mbresë nga koha kur z. Blair ka ushtruar ndikimin e tij për t'i dhënë fund konfliktit në Kosovë dhe për ta sjellë paqën? Surroi: Kryeministri Blair ka qenë motori intelektual dhe në momentet vendimtare edhe politik për ndërhyrjen në Kosovë. Mos të harrojmë se jo vetëm me ministrin e jashtëm Cook, por më pastaj edhe në momentet vendimtare kur duhej shprehë vendosmërinë e fuqive të NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve për vënien e ushtarëve, ishte mu kryeministri Blair, i cili nuk hezitoi aspak edhe përkundër pengesave të mëdha që ekzistonin në shtetet e NATO-s, vendosi megjithatë të prijë me deklarimin se Britania e Madhe do të vendoste ushtarë po të ketë nevojë edhe me ndërhyrje ushtarake tokësore. BBC: Zoti Surroi, çfarë ndikimi sipas jush do të ketë largimi i zotit Blair nga posti i kryeministrit britanik në politikën ndërkombëtare, por edhe në çështjen e Kosovës? Surroi: Me largimin e zotit Blair nga qeveria britanike humbet një mendje e ndritur dhe një fuqi e madhe morale. Shpresoj që kjo mendje e ndritur dhe kjo fuqi e madhe morale e politike të gjejë vend në politikën evropiane ose në atë ndërkombëtare. Unë mendoj se kapaciteti i kryeministrit Blair sot për sot është i një burrështetasi të rrallë dhe të një intelektuali të rrallë që mund të gjindet i bashkëdyzuar. BBC: Po sa i përket Kosovës, mendoni se mund të ketë ndryshime në kursin britanik karshi çështjes së Kosovës? Surroi: Nuk mendoj se do të ketë ndryshime në kursin britanik. Britania e Madhe ka ndërtuar me një pedanteri që karakterizon diplomacinë britanike dhe më nje konsistencë që karakterizon diplomacinë britanike qëndrimin e saj ndaj Kosovës, kështu që ky do të jetë kurorëzim sa i kryeministrit Blair, sa i ministrit të ndjerë Cook, aq edhe i politikës britanike, i demokracisë britanike. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||