BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 03 prill 2007 - 07:53 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ambasadorët e NATO-s vizitojnë Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Schefer tha në Prishtinë se shpresonte që Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta miratonte rezolutën për statusin e Kosovës.

Ai tha se nuk duhet të ketë nxitim në marrjen e vendimit, por as vonesa të panevojshme për zgjidhjen e statusit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri këto komente gjatë vizitës së 26 ambasadorëve të Aleancës në Kosovë në prag të fillimit të diskutimeve në Këshillin e Siguirmit të OKB-së për statusin e Kosovës.

Delegacioni i NATO-s u takua me udhëheqësit e institucioneve vendore e ndërkombëtare si dhe me përfaqësuesit e pakicës serbe.

Ai vizitoi edhe Manastirin Serb të Deçanit dhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Optimizëm

Zoti Schefer përsëriti mbështetjen e Aleancës për planin e Ahtisaarit dhe u shpreh optimist se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta miratonte rezolutën për të ardhmen e Kosovës.

"Është me rëndësi të theksohet këtu se në njërën anë ne nuk mund të presim që vendimi për statusin në Këshillin e Sigurimit të merret me nxitim, por as të ketë vonesa të panevojshme", tha zoti Schefer.

Jaap de Hoop Schefer siguroi se trupat e NATO-s në Kosovë nuk do të lejojnë përdorimin e dhunës nga askush.

"Ne jemi këtu, KFOR-i është këtu në këtë fazë shumë të veçantë për Kosovën. Askush mos të ketë iluzione se dhuna mund të jetë mjet për gjetjen e zgjidhjes së statusit. Çdokush që e zgjedh dhunën pavarësisht nga cila anë, jo vetëm që gabon, por e dëmton procesin", porositi zoti Schefer.

Ai theksoi se NATO e cila aktualisht ka rreth 17 mijë trupa të saj në Kosovë, do të qëndrojë këtu në afat të pacaktuar.

Lidhur me kërcënimet e serbëve se nëse Kosova shpallet shtet i pavarur, edhe serbët në veri do të shpallin njëanshmë pavarësinë e tyre nga pjesa tjetër e Kosovës, zoti Schefer tha:

"Ndarja nuk mund të jetë rrugëzgjidhje dhe nuk do të jetë kurrë. Unë do të sugjeroja ata që synojnë ndarjen e Kosovës se gabojnë, kjo nuk do të lejohet", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>