BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 28 mars 2007 - 21:16 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Takim i Grupit të kontaktit për Kosovën
Martti Ahtisari
Z.Ahtisari do të jetë në një sesion të Këshillit të Sigurimit
Grupi i Kontaktit u takua të mërkurën në Londër në nivel të drejtorëve për Ballkanin.

Takimi ishte në kuadrin e diskutimeve konsultuese për të arritur një konsensus për të pranuar propozimin e paraqitur nga zoti Ahtisari.

Ky ishte takimi i parë i Grupit të Kontaktit pas paraqitjes së propozimit të zotit Ahtisari në Kombet e Bashkuara.

Në këtë takim Shtetet e Bashkuara u përfaqësuean nga, Rosemary Di Carlo, zëvendës-asistente e sekretares amerikane te shtetit.

Me zonjën Di Carlo bisedoi Ragip Luta.

BBC- Si u zhvillua takimi i grupit të kontaktit në Londër?

Znj Di Carlo: Takimi ishte në kuadrin e serisë së takimeve të rregullta të punës në këtë nivel. Sigurisht, ne diskutuam për propozimin e paraqitur nga zoti Ahtisari dhe për disa nga hapat e ardhshëm.

BBC- Çfarë thanë përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit për propozimin e zotit Ahtisari?

Znj Di Carlo: Mendoj se e dini qëndrimin e shumicës së anëtarëve të Grupit të Kontaktit. Ju e dini se Shtetet e Bashkuara i janë shumë mirënjohëse zotit Ahtisari për punën që ka bërë. Ne i mirëpritëm dhe i mbështesim të gjitha rekomandimet e tij.

BBC- A kanë të njëjtën mbështetje për rekomandimet e zotit Ahtisari të gjithë anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit.

Znj Di Carlo: Ne të gjithë e respektojmë atë që ka arritur Presidenti Ahtisari dhe duhet të gjejmë një rrugë për të ecur përpara me diskutimet që do të zhvillohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në javët e ardhshme.

BBC- Cili ishte qëndrimi i përfaqësuesit rus në këtë takim?

Znj Di Carlo: Mendoj se ju e dini qëndrimin e tyre që është shprehur publikisht nga ministri i jashtëm dhe përfaqësuesi i Rusisë në Nju Jork.
Unë nuk dua të përsëris qëndrimin e Rusisë, por ajo që dua të them është se në javët që vijnë ne duam t'i vazhdojmë diskutimet, sigurisht në Grupin e Kontaktit, duam t'i vazhdojmë diskutimet në Nju Jork me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Ne besojmë se zoti Ahtisari ka paraqitur propozime që ndihmojnë në garantimin e stabilitetit afatgjatë në rajon. Prandaj mendojmë se ka ardhur koha që kjo çështje të zgjidhet.

BBC- - Për çfarë ratë ju dakord me rusët në takimin e Grupit të Kontaktit?

Znj Di Carlo: Ne ramë dakord me rusët që të vazhdojmë diskutimet për këto propozime. Shumë shpejt në Këshillin e sigurimit do të zhvillohet një sesion për këtë dhe zoti Ahtisari do të flasë vetë në këtë sesion. Siç e dini, Presidenti Ahtisari u përpoq shumë që të sheshonte hendekun që ekzistonte në qëndrimin e të dyja palëve. Edhe aty ku palët nuk arritën marrëveshje për çështjet e ndryshme, ai u përpoq të dilte me propozime që e ngushtonin hendekun. Mendoj se propozimi i presidentit Ahtisari kërkon kompromise nga të dyja palët.

BBC- Ju thatë se do të ketë diskutime të tjera në Këshillin e Sigurimit. Do të thotë kjo se propozimet e zotit Ahtisari mund të ndryshojnë?

Znj Di Carlo: Unë mund të flas për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Ne mendojmë se ai ka përgatitur një pako të shkëlqyer propozimesh. Ne mendojmë se nuk duhen më negociata të tjera. Palët kanë diskutuar për këto çështje gjerë e gjatë. Ne nuk shohim ndonjë dobi nga vazhdimi i negociatave për këtë çështje.

BBC- Pra, nuk do të ketë më negociata për çështjen e Kosovës?

Znj Di Carlo: Ajo që ne presim të zhvillohen janë konsultime. Ne jemi për konsultime mes vendeve anëtare për planin e propozuar, në mënyrë që të arrihet një konsensus, që ky proces të ecë përpara drejt përfundimit.

BBC- Sa i mundur është ky konsenus po të kemi parasysh qëndrimin e Rusisë?

Znj Di Carlo: Unë besoj se ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta arritur këtë konsensus. Ne të gjithë e kuptojmë se duam ta zgjidhim këtë çështje. Ne e filluam këtë proçes më shumë se një vit e gjysmë më parë sepse të gjithë ishim të vetëdijshëm se 'status quo'-ja nuk mund të vazhdonte gjatë. Të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit mendojnë kështu.

BBC- Çfarë mendoni për qëndrimin e Serbisë dhe reagimin e udhëheqësve në Beograd ndaj pakos së zotit Ahtisari?

Znj Di Carlo: Para së gjithash propozimet e Presidentit Ahtisari përmbajnë komprimise për të dyja palët. Unë mendoj se udhëheqësit e Kosovës e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm të bëjnë disa kompromise në këtë proçes. Por ne e dimë se ka kompromise për të dyja palët. Ne, sinqerisht, iu bëjmë thirrje palëve që t'i pranojnë këto kompromise si një rrugë që të çon përpara. Për Beogradin është e rëndësishme që të përqëndrohet tek e ardhmja. Beogradi ka një të ardhme të ndritur për të bërë realitet ëndrrën e tij evropiane në një të ardhme jo shumë të largët. Mesazhi inkurajues që ne do t'i jepnim popullit dhe udhëheqësve në Serbi është që të shohin nga e ardhmja, jo nga e shkuara. Ne e kemi bërë të qartë se nuk i bëjmë udhëheqësit e sotëm në Serbi përgjegjës për atë që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën, dhe që ishin pasojë e politikave të Millosheviçit. Por, iu takon këtyre udhëheqësve të ndreqin këtë trashëgimi të së kaluarës.

BBC- Presidenti serb ka kërkuar bisedime të tjera me argumentin se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për një zgjidhje kompromisi. A mendoni se ka vend për bisedime të tjera?

Znj Di Carlo: Jo. Ne besojmë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara ka qenë i angazhuar në 14 apo 15 muaj negociata. Nuk mendojmë se bisedimet e mëtejshme mund të afrojnë qëndrimet e të dyja palëve.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>