|
Partosh analizon qëndrimin ndërkombëtar | |||||||||||||||||||||||
Analisti i BBC-së për Evropën Juglindore, Gabriel Partosh, njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, thotë se vlerësimi i vëzhguesve se Shqipëria humbi një shans drejt përmbushjes së standardeve ndërkombëtare të zhvillimit të zgjedhjeve, nuk duhet parë si një deklaratë dramatike. Ai thotë se fjala është për çështje të natyrës administrative të cilat gjithësesi duhen zgjidhur për të plotësuar standardet e larta që kërkohen nga Bashkimi Evropian për procesin zgjedhor. Gëzim Guri bisedoi me analistin Gabriel Partos dhe fillimisht e pyeti nëse kishte mbetur i befasuar nga vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 18 shkurtit. Partos- Të them të drejtën, jo, sepse po të kesh parasysh nivelin e argumentave përpara zgjedhjeve që nxorrën në pah problemet dhe mangësitë e ndryshme, ishte thuajse e pashmangshme që të kishte probleme pavarësisht nga marrëveshja e janarit. Këto probleme nuk u zgjidhën të gjitha. U bënë disa përmirësime përsa i përket identifikimit të zgjedhësve. Por shumë çështje, përfshirë regjistrin e zgjedhësve nuk ishin zgjidhur si duhet. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë ka mesazhe të përziera. Duhet theksuar se problemet që ai evideton kanë të bëjnë më shumë me mangësi të natyrës administrative. Ka vërejtje për kapacitetin e ulët të administratës zgjedhore. Në këtë raport nuk ka vërejtje për ndërhyrje politike për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Pra, raporti vë në dukje se Shqipëria nuk është ende në gjendje, dhe kjo jo vetëm në organizimin e zgjedhjeve, që të ketë një nivel kompetence dhe standarde që nevojiten për të të qenë një negociatore serioze me Bashkimin Evropian me synim anëtarësimin në të ardhmen. BBC- Megjithatë, Gabriel, shprehja Shqipëria humbi një tjetër shans, duket një deklaratë e fortë e vëzhguesve ndërkombëtare, apo jo ? Partos- Është një term i fortë dhe ndoshta është përdorur për të përcjellë mesazhin se sa rëndësi ka për të gjitha palët që të bashkëpunojnë. Kjo nuk është çështje vetëm e qeverisë por edhe e opozitës. Pra, kërkohet që të ketë një konsensus për reformat e nevojshme. Në fund të fundit askush nuk po thotë se Shqipëria humbi një shans përgjithmonë. Shanset mund të humben për disa muaj, për një vit, dy vjet e kështu me radhë. Gjithashtu dua të theksoj që, edhe sikur të bënte zgjedhjet më të mira të mundshme në këtë moment, Shqipëria nuk ka ndonjë shans që të bëhet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian për një apo dy vjet. Për këtë arsye unë nuk do të quaja një zhvillim dramatik vlerësimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për këto zgjedhje. Gjithësesi raporti e bën të qartë se Shqipëria duhet të hedhë hapa përpara. BBC- Megjithatë, Gabriel, përtej vërejtjeve administrative, një tjetër kritikë në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale është edhe mungesa e besimit të ndërsjelltë dhe e përpjekjeve për kompromis me forcave kryesore politike. Partos- Përsëri kjo vjen natyrshëm nga beteja e gjatë dhe lufta e fjalëve përpara zgjedhjeve. Kjo betejë nisi që në tetor dhe vazhdoi gjatë muajve në vazhdim deri në prag të zgjedhjeve. Dihet që ka një konfrontim të fortë personaliteti mes kryeministrit Sali Berisha dhe udhëheqësit socialist Edi Rama. Kjo është e qartë. Marrëdhëniet e tyre personale bazohen në dyshimin e thellë për njëri tjetrin. Por në thelb duhet ta kemi parasysh që problemet kanë të bëjnë me çështjet më të vogla të administrative të zgjedhjeve dhe jo me akte dhune apo me manipulim masiv të zgjedhjeve. Kjo pasqyrohet në njëfarë mënyrë edhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-së. BBC-Ju i quajtët këto probleme për çështje të vogla. Megjithatë ato kërkojnë një klimë politike që të zgjidhen. A parashikoni që atë të zgjidhen së shpejti? Partos- Unë them se po. Çështja shtrohet që qeveria Berisha të fitojë besim se mund të zhvillojë zgjedhje që konsiderohen përgjithësisht të pranueshme, ndonëse jo në standardet e kërkuara. Këtu duhet të sqarojmë se këto standardet e kërkuara janë shumë më të larta se 10 vjet më parë. Nga ana tjetër, nëse konfirmohen rezultatet që favorizojnë socialistët në këto zgjedhje, kjo do të shtojë besimin e udhëheqësit të Opozitës, Edi Rama. Kjo situatë iu jep të dyja palëve njëfarë besimi që të veprojnë si kandidatë potencialë për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku rivalët nuk luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar aspekte private, por mbahet një qëndrim më i qetë dhe t'iu lihet vendi politikave respektive apo edhe marrëveshjeve mes tyre. Sigurisht ky do të jetë një proces i gjatë. Gjërat nuk do të zgjidhen brenda javëve apo muajve të ardhshme. Por unë mendoj se Shqipëria ka një shans që të ecë përpara dhe në njëfarë mënyre të përmbushë këto kërkesa më të rrepta të cilat ia kërkon Bashkimi Evropian. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||