|
Grunnet vlerëson zgjedhjet lokale | |||||||||||||||||||||||
Shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Tiranë, Jorgen Grunnet, tha se Shqipëria kishte humbur një shans tjetër në plotësimin e të gjitha standardeve ndërkombëtare me zgjedhjet e djeshme lokale. Në një intervistë për BBC-në, zoti Grunnet tha se përmbushja e rekomandimeve të bëra nga misioni i ODIHR-it pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005 filloi me shumë vonesë. Gëzim Guri bisedoi me zotin Grunnet dhe fillimisht e pyeti se cili ishte përfundimi i vëzhguesve ndërkombëtare për procesin e deritanishëm. Grunnet- Konkluzioni ynë një ditë pas këtyre zgjedhjeve është se ishte një garë demokratike, shumë konkuruese e kështu me radhë, por këto zgjedhje ishin përsëri një rast i humbur për Shqipërinë për të përmbushur të gjitha angazhimet e OSBE-së, të Këshillit të Evropës si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. BBC-Çfarë shansi ka humbur Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve, zoti Grunnet? Grunnet- Çfarë shansi? Nëse ka zgjedhje, kjo është një mundësi e re që Shqipëria t'i tregojë botës se është në gjendje që të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo nuk u vu re plotësisht në zgjedhjet lokale. Sigurisht që kishte edhe elemente pozitive. P.sh listat e zgjedhësve ishin më të mira se në zgjedhjet e mëparshme. Kishte një angazhim më të madh në këto zgjedhje. Vetëm për kryetarë bashkish konkuruan mbi njëmijë vetë. Ndoshta më zhgënjyese ishte pjesëmarrja në votime që nuk arriti shifrën 50%. BBC- Sigurisht, zoti Grunnet që këtu luan një rol edhe vota e munguar e shumë emigrantëve që figurojnë në listat e zgjedhësve, apo jo? Grunnet- Po, kjo është e vërtetë dhe kjo ka luajtur një rol. Por kjo nuk iu përgjigjet të gjitha pyetjeve. BBC- Mund të jeni më specifik për angazhimet e papërmbushura në këto zgjedhje? Grunnet- Po, Partitë politike përsëri nuk arritën të përmbushin përgjegjësitë e konsiderueshme që iu njeh ligji në kodin elektoral. Këto forca politike janë përgjegjëse për përgatitjen dhe kryerjen e zgjedhjeve, me fjalë të tjera vënia në veprim e makinerisë zgjedhore. BBC- Pra, me sa kuptojmë zoti Grunet vërejtjet tuaja kanë të bëjnë kryesisht me periudhën përgatitore të zgjedhjeve dhe sjelljen e forcave politike gjatë kësaj periudhe? Grunnet- Po, por kjo situatë pasigurie vazhdoi edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 12 Janarit kur partitë politike arritën një kompromis që mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve. BBC- Zoti Grunet cilat ishin përfundimet kryesore nga vëzhgimi i ditës së zgjedhjeve? Grunnet- Kishte disa parregullsi, si moshapja në kohë e disa qendrave të votimit, madje disa qendra nuk u hapën fare. Arsyeja për këtë në disa raste ishte se komisioni i qendrës së votimit nuk ishte i pranishëm dhe në disa raste të tjera kishte probleme me mbërritjen në kohë të materialeve të votimit. Gjithashtu përfundimi i procesit të votimit në disa zona ishte shumë kaotik dhe jo i administruar si duhet. BBC- A mendoni se parregullsitë që ju evidentuat në faza të ndryshme të procesit zgjedhor mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë Bashkinë e Tiranës ku ishte edhe gara më e ashpër? Grunnet- Unë nuk dua të flas me hamendje. Ne nuk i dimë aspak rezultatet prandaj është e vështirë për mua t'i përgjigjem kësaj pyetje, por dua të them se kishte shumë raste të administratimit të pasigurtë të të gjithë procesit zgjedhor, të cilat ne po i evidentojmë. Ajo që ne nënvizojmë dhe që është shumë e rëndësishme për përmirësimin e procesit elektoral në Shqipëri është që të krijohet një sistem i besueshëm dhe uniform i rregjistrit të gjendjes civile dhe identifikimit të qytetarëve. BBC- A do të luani ju rol në këto përmirësime që duhen bërë? Grunnet- Ne jemi gjithmonë të gatshëm që të ofrojmë ndihmë dhe unë jam në dijeni të një projekti që është ndërmarrë kohët e fundit, me financimin e Norvegjisë dhe disa donatorëve të tjerë. Ky projekt do të mbështetet edhe nga zyra e OSBE-së në Shqipëri. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||