|
Marrëveshje për emetimin e dioksidit të karbonit | |||||||||||||||||||||||
Politikanë nga disa vende kryesore të botës kanë rënë dakord për masat që duhen marrë për ndryshimet e klimës. Kjo i hap rrugën një traktati të ri ndërkombëtar. Përfaqësues të Grupit të Tetë vendeve më të industrializuara, si dhe politikanë nga Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut ranë dakord për vendosjen e një tavani për emetimin e dioksidit të karbonit. Gjatë një takimi në Uashington, ata ranë për herë të parë dakord se edhe vendet e mëdha që janë në zhvillim, si Kina apo India, duhet të ulin nivelin e emetimit, krahas shteteve më të pasura. Deklarata që doli nga ky takim nuk është e detyrueshme për t'u zbatuar, por korrespondenti i BBC-së për çështjet e mjedisit thotë se ky është një hap i rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje politike për ndryshimet e klimës. Megjithatë, një shkencëtar i njohur në Shtetet e Bashkuara thotë se ka pak shpresa që administrata e Bushit të marrë masa kundër ngrohjes globale. Doktor John Holdren, President i Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës, tha se besonte se administrata amerikane nuk do të hidhte ndonjë hap deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Ai tha se kostoja e hapave të tanishëm është më e ulët se dëmi nga ndryshimet e klimës në të ardhmen. "Unë mendoj se duhet t'i spjegojmë presidentit Bush se kundërshtimi i tyre kryesor se hedhja e hapave serioze për ndryshimet e klimës do të dëmtojë ekonominë amerikane, është krejtësisht i gabuar", tha Dr.Holdren. Në një zhvillim tjetër ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, njoftoi se gjatë muajit korrik do të organizohen disa koncerte me këngëtarët më të njohur të muzikës pop për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për ndryshimet e klimës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||