BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 15 shkurt 2007 - 16:02 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Zgjedhjet lokale
Pjesëmarrësit duke hyrë në sallën ku u zhvillua debati
Pjesëmarrësit duke hyrë në sallën ku u zhvillua debati

Elona Muzhaqi, studente: Përshëndetje. Pyetja ime është a ndikojnë zgjedhjet lokale në rrugën e integrimit në BE dhe sa të rëndësishme janë ato?

Jemin Gjana: Natyrisht që ndikojnë. Së pari ndikojnë nga performanca e vetë zgjedhjeve nga mënyra se si Shqipëria, klasa politike do t'i respektojë standartet për të zhvilluar zgjedhjet.

Më e rëndësishme nga këto do të mbetet vlerësimi nga strukturat monitoruese, të faktorit jashtë shqiptar në mënyrën se si Shqipëria do të zbatojë standartet e do të zhvillojë zgjedhjet.

Së dyti, proçesi i decentralizimit të pushtetit është një nga angazhimet më të mëdha të BE-së. Kështu që një pushtet lokal më efikas, më elastik nën drejtimin e njerëzve sa më mirë të përzgjedhur natyrisht që është një përballje me sfidat e integrimit.

Aleksandër Furxhi: Situata politike nuk na premton zgjedhje politike të mira dhe përgjegjësia bie edhe mbi qeverinë.

Jemin Gjana: Natyrisht që përgjegjësia bie mbi qeverinë për të plotësuar kushtet për të zhvilluar zgjedhjet, por nuk është vetëm qeveria ajo që përcakton.

Natyrisht që në çdo vend qeveria është ajo që merret me organizimin e zgjedhjeve dhe në këtë pikëpamje duhet mbështetur dhe duhet dëgjuar e duhet korrektuar për ato që nuk i ka mirë, por duke qenë se kam patur rastin për disa vite radhazi të merrem me problemet e kuadrit ligjor për zgjedhjet, në obligimin që ka patur parlamenti shqiptar për ta përmirësuar këtë kuadër legjislativ unë besoj se Shqipëria nuk bën më pjesë tashmë në vendet të cilat nuk kanë shumicën e standarteve, së paku në kuadrin ligjor.

Për pikëpamjen time është e papranueshme të parashikosh diçka që ende s'ka ndodhur. Lufta më e madhe që është bërë të paktën nga viti 2000 e deri më sot në Shqipëri ka qenë çështja se si do ta ndërtojmë administratën zgjedhore sa kohë që ata që kanë shumicën e kartonave në parlament thonë "ok" të gjithë partitë parlamentare, pjesë të komisionit të votimit, hajde të votojmë dhe të ecim përpara.

Sa kohë që ajo që ka qenë gangrenë e zgjedhjeve në Shqipëri pjesmarrja e disa prej instancave të sigurisë madje e policisë së shtetit ka qenë problematike dhe fakti që në zgjedhjet e 2003 dhe 2005, bazuar në kuadrin ligjor që Shqipëria tashmë e ka të përjashtuar ndikimin dhe ndërhyrjen e policisë në zgjedhje, do të thotë që standarti është.

Sa kohë që Shqipëria ka një pushtet lokal të organizuar që funksionon dhe ka detyrimin ligjor për të bërë lista. Unë kam qenë këtu në prag të zgjedhjeve të 2005, në zyrën e këtij kryetari bashkie dhe unë besoj se atëhere dhe sot as e ka patur dhe as e ka ndërmend të ndërtojë lista në mënyrë të qëllimshme e të njëanshme për të përjashtuar qytetarët.

A ka probleme Shqipëria me listat? Natyrisht që po sepse ne lëvizim nga njëra lagje në tjetrën dhe kurrë nuk mendojmë të lëvizim gjendjen tonë civile, pra do të ketë difekte sepse vijnë si difekt i problemit të informalitetit të madh që ka në tërësi ekonomia, shoqëria dhe gjithçka.

Por në qoftë se difektet janë rastësore do të thotë se difektet në lista i prekin të gjitha palët njësoj, nëse janë të qëllimshme atëhere do të ndodhte e kundërta.

Unë besoj se të paktën për Elbasanin nuk është e vërtetuar se ka patur ndërhyrje të qëllimshme as në 2005 as nuk besoj se do të ketë.

Valentina Leskaj: Sigurisht që ne këtu nuk po flasim vetëm për zgjedhjet e Elbasanit sepse zgjedhjet e Elbasanit nuk janë të veçanta, por pjesë e gjithë zgjedhjeve në Shqipëri.

Mua më vjen shumë mirë që zoti Gjana me shumë të drejtë konfirmoj këtu disa standarte që ne i arritëm në zgjedhjet e vitit 2003 dhe 2005. Kjo do të thotë që në atë kohë me përpjekjen e përbashkët dhe me vullnetin politik të qeverisë ekzistuese u arritën disa standarte.

Unë besoj që sot asnjë shqiptar nuk do të pranonte që ne t'i kthehemi mbrapsht këtyre standarteve. Ne sot jemi në një situatë që nuk kemi ligj që të hymë në zgjedhje.

Në zgjedhje nuk mund të hyet pa ligj, pra ne nuk kemi kod zgjedhor që mund të na çoj në zgjedhje që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kodi vjetër i ka të tejkaluara afatet pasi kodi vjetër ka disa afate qoftë përsa i përket listave apo elementëve të tjerë dhe çdo ditë që kalon e thellon dhe më shumë hendekun dhe elementi tjetër është që ne akoma nuk kemi rënë dakort për të miratuar në parlament amendamentet e reja që u paraqitën të cilat do ta mendonin kodin dhe do të krijonin mundësi që ne të hynim me një ligj në zgjedhje.

Neritan Ceka: Nëse nuk realizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo do të ndikojë shumë negativisht në integrimin e Shqipërisë në BE.

Unë mendoj që nuk do ketë zgjedhje sepse të vlerësosh zgjedhje të mira apo të këqija ato duhet të bëhen. Zgjedhjet nuk mund të bëhen, nuk do të ketë rezultat zgjedhjesh sepse kodi i ndërtuar me marrëveshjen PS - PD ku zoti Gjana ka qenë dhe një nga aktorët kryesorë i koncepton zgjedhjet të administruara nga partitë politike dhe pjesërisht nga pushteti vendor.

Pra KQZV - të ku regjistrohen kandidatët dhe ku bëhet marrja e mandatit nuk funksionojnë sepse vendimi i tyrë duhet të jetë 5 me 2, pra nuk ka asnjë ndërtim të tillë që u jep të drejtë atyre të marrin vendim. Edhe për vendim përfundimtar nga KQZ përsëri nuk realizohet shpallja e zgjedhjeve, pra jemi në një dështim të plotë.

Unë mendoj që sikur ne të ishim sot në janar ose në shkurt kur filluam komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore çdo gjë do të ishte e shkëlqyer. U shpall dhe në seancën e para dy ditëve në parlament që jemi gati tha pozita edhe për listat, pra të ketë një list të vetme, të ketë plotësim të komisioneve me të gjithë anëtarët e partive parlamentare ose në formulën 5+1 dhe u pranuar madje dhe çertifikata. Pra jemi në një kohë që më në fund arritëm një konsensus.

Nga ana tjetër kemi dhe një propozim që u tha nga opozita dhe u konkretizua nga zoti Meta që hajde ulemi dhe diskutojmë sepse nuk ka rëndësi data.

Neni 29-të i kushtetutës përcakton një afat të përgjithshëm 3 vjeçar, por jo taksativ siç është për mandatin e deputetit. Pra eksperienca e deritanishme ka treguar që shumë kryetarë bashkish ose këshilla bashkiak e kanë tejkaluar afatin fiks 3 vjeçar.

Eksperienca tregon që ne kemi mundësi që duke u mbështetur në këto dy faktorë që kemi arritur dakort për standarte dhe kushtetuta dhe kodin zgjedhor e rregullojmë që nesër nëse ulemi, hajde të bëjmë zgjedhje në një kohë që do të jetë maksimale për të gjitha palët.

Ardian Turku: Fillimisht do të doja të thoja diçka tjetër të paktën po të hyja në detaje dhe unë do të mbaja pozicionin tim të krahut të djathtë politik sepse mendoj që ka patur shumë rezistencë nga opozita, por do doja që të dilja pak jashtë këtyre pozicioneve.

Për atë që synojmë për integrimin në Europë, për opinionin që është krijuar në faktorin e jashtëm pothuajse politika shqiptare ka dështuar. Kjo lidhet për mendimin tim me konceptin që ne e kemi të vështirë në një moment të caktuar të lëshojmë karriget, ose kur i lëshojmë me votën e popullit duam që për 5 ditë të rikthehemi në ato karrige.

Ditën që do shkëputemi nga ky mentalitet atëherë unë them që do bëhen zgjedhje normale. Ndërsa në pushtetin lokal unë do të doja të thoja që ne kemi disa detyrime ligjore për të cilat mbajmë përgjegjësi dhe përgjithësisht jemi shumë të interesuar që të zhvillohen zgjedhje të pakontestueshme për aq sa i takon detyrimeve tona.

Mendoj se ka qenë e mundur të hartoheshin listat zgjedhore dhe sa më shumë kalojnë ditët kuptohet që aq më shumë ngushtohen afatet. Kjo varet shumë nga kapacitetet e bashkive, nga infrastruktura që kanë krijuar, nga potencialet njerëzore, nga metodologjia si punojnë, nga masat organizative.

Unë listat zgjedhore i kam mbaruar për 10 ditë. Dje mbasdite i kam dorëzuar në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile, formatin elektronik.

Aleksandër Furxhi:Faleminderit zoti Turku. I dëgjuam pozicionet e politikanëve, le të dëgjojmë se çfarë mendojnë qytetarët e thjeshtë dhe studentët për këtë situatë. Si e perceptoni, si vjen kjo situatë politike?

Studente: Duke ju referuar rezymesë që bëri zonja Leskaj e cila shprehte shqetësimin se mungon një kod i ri për zgjedhjet në Shqipëri atëhere do doja të ndalesha tek një problem shumë i rëndësishëm.

Mungesa e këtij kodit të ri do të thotë që ka një mungesë të vullnetit politik për të bërë një kod të ri dhe sa do të zgjasë kjo mungesë e vullnetit për të bërë një kod të ri?

Sokoli, student viti i dytë gazetari: Normalisht ecuria e zgjedhjeve në ato kushte që janë caktuar nga BE është një kusht kryesor për ecjen e negociatave. A mos ndoshta ka ardhur koha që politikanët tanë të nderuar të dalin nga llogoret e tyre dhe ti lënë lojrat mediatike dhe të fillojnë të bisedojnë këtë gjë dhe ta shikojnë me seriozitet më të madh sepse çdo gjë bie mbi kuriz të popullit.

Griselda Qosja, Nxënëse në gjimnazin "Dhaskal Todri": Mendoj se politika shqiptare është duke përjetuar një periudhë tranzicioni në të e cila nuk ka se si të evitohet në shoqëri apo dhe në aspektin politik.

Ajo çfarë do të ishte adekuate për të konvertuar situatën aktuale politike, gjendjen e tanishme kishte për të qenë fakti i mirëkuptimit dhe i bonsensit nga ana e politikanëve shqiptarë, për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk ka tashmë nevojë për të vijuar me debate të tilla të cilat janë gjithnjë paraprake përpara zgjedhjeve.

Do të thoja që mirëkuptimi ulja e të dyja palëve kishte për të qenë gjëja më e përshtatshme dhe komforte sepse vetëm në këtë lloj mënyre kishte për tu arritur një rezultat i mirë në zgjedhjet e 20 janarit.

Ardian Fraulli: Kisha një pyetje për të gjithë panelin. Nëse opozita nuk shkon në zgjedhje çfarë do të ndodhë me politikën shqiptare?

Student: Unë do të përgëzoja zotin Turku që mori përsipër dhe tha që politika shqiptare është e dështuar. Më në fund na del një kryetar bashkie që e pranon këtë dhe e përgëzoj.

Ndërsa për gjithë politikanët shqiptarë do të thoja se kanë 15 vjet që topin ja hedhin njeri tjetrit, për mua ata nuk janë politikanë dhe nuk qëndron faji tek ata, por tek populli që mbush sheshet, që i duartroket, që i voton. Nëse populli nuk do të dilte në zgjedhje çfarë do të bënin dy partitë e mëdha?

LOKALE
Auditoriumi në Elbasan
04 janar 2007 | Faqja Kryesore
E ardhmja e studentëve të diplomuar
08 janar 2007 | Faqja Kryesore
Ndotja e ambjentit shqetësim i përgjithshëm
15 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
Ristrukturimi i kalasë
16 shkurt 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>