|
Dita e fundit e fushatës së zgjedhjeve | |||||||||||||||||||||||
Të premten është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet e 18 shkurtit për pushtetin lokal në Shqipëri. Dy grupimet, te djathtët rreth Partisë Demokratike dhe te majtët rreth Partisë Socialiste, do të mbajnë mbasdite në të njëjtën orë në Tiranë mitingjet e fundit, të cilat janë paralajmëruar të jenë pompoze. Të djathtët do të mblidhen në sheshin Skënderbej, kurse të majtët në sheshin “Nënë Tereza”. Të dyja palët janë të përqëndruara që të mbledhin sa më shumë përkrahës në demonstrimin e fundit elektoral. Dita e enjte u shoqërua me disa incidente të cilat e rritën dukshëm tensionin politik. Në qendër të polemikave u vu shpërthimi i një sasie tritoli në një restorant në Tiranë, ku më parë kishte qëndruar për darkë kandidati i majtë për kryetar bashkie në Tiranë, Edi Rama, dhe disa deputetë socialistë. Zoti Rama aludoi se ngjarja kishte frymëzim politik. Policia tha se prapa saj qëndrojnë konflikte për cështje pronësie dhe se në këtë kontekst pronari i lokalit kishte marrë një kërcënim para disa ditësh. Qeveria e dënoi shpërthimin. Gazetat që mbështesin opozitën shkruajnë të premten se kërcënimi kishte pasur natyrë politike për të frikësuar pronarin që të mos mbështesë kandidatin e opozitës në Tiranë. Policia tha se monitoronte çdo lëvizje të drejtuesve politikë për të siguruar jetën e tyre. Drejtuesi i gardës kombëtare tha se gjatë fushatës me urdhër të kryeministrit janë trefishuar masat e mbrojtjes për drejtuesit politikë, sidomos për ata të opozitës. Ambasadorja amerikane në Tiranë bëri një vizitë të papritur në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme prej nga deklaroi se ngjarja duhet hetuar deri në fund. Nderkohë, u shënuan edhe të paktën dy incidente të tjera me armë. Zyrat e kandidatit të PD-së në Pogradec dhe të një kandidati të majtë në një fshat te Fierit janë gjuajtur nga jashtë me armë duke dëmtuar xhamat e godinave. Për fat nuk ka pasur të plagosur, ashtu si edhe në shpërthimin me tritol në Tiranë. Eksponentë të ndryshëm politikë e vunë gishtin mbi rivalët në garën për zgjedhje si frymëzues të këtyre incidenteve. Vëzhguesit në përmbyllje të fushatës vënë re se ajo u shndërrua në një fushatë te tipit të zgjedhjeve të përgjithshme, si për nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||