BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 11 shkurt 2007 - 14:37 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Këmbëngulje për programin bërthamor
Uzinë bërthamore në Iran
Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, ka përsëritur qëndrimin e tij të vendosur për të vazhduar punën me programin bërthamor të vendit.

Duke folur në një miting masiv me rastin e përvjetorit të Revolucionit Islamik të vitit 1979, presidenti Ahmedinedjad tha se Irani gëzonte të drejtën për ta kryer gjithë ciklin bërthamor.

Sipas tij, ata që do të bënin një kompromis me këtë të drejtë, do të fitonin urrejtjen e kombit.

Megjithatë, z. Ahmedinedjad nuk njoftoi, ashtu si pritej, për përparimin që ishte arritur deri tani në këtë fushë.

Ndërkohë në Gjermani, kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Ali Larijani, tha në një konferencë ndërkombëtare në fushën e sigurisë se Irani dëshironte të arrinte një zgjidhje për këtë çështje përmes negociatave.

Ai shtoi se vendi i tij nuk dëshironte të rëndonte tensionet rajonale.

Akuza në Irak

Në Irak, zyrtarët amerikanë thonë se kanë prova që vërtetojnë se Irani mbështet në mënyrë aktive dhunën e militantëve shiitë atje.

Zyrtarët amerikanë u thanë gazetarëve në Bagdad se besonin se Irani po i furnizonte grupet paraushtarake irakiane me armatim të sofistikuar.

Zyrtarët thanë se informatat që kanë mbledhur, armët dhe eksplozivët e konfiskuar gjatë bastisjeve në Irak, i kishin ndihmuar ata që të hartonin një dosje për rolin që pretendojnë ata se po luan Irani në vendin e tij fqinj.

Një korrespondente e BBC-së në Bagdad thotë se dosja është shqyrtuar disa herë për të mbrojtur burimet e informatave të shërbimeve sekrete dhe për t'u siguruar se ajo që paraqitet në të, është e besueshme.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>