BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 02 shkurt 2007 - 17:26 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Britania mirëpret propozimet
Xhef Hun intervistuar nga Ragip Luta
Hun tha se kompromis i mirë është ai që u ofron mundësi të gjithëve.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari ka paraqitur planin e tij për Kosovën tek Ekipi Negociues kosovar pas dorëzimit të dokumentit në Beograd.

Presidenti Ahtisaari ka arritur në Kosovë me një avion special të OKB-së dhe në aeroportin e Prishtinës fillimisht është takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Joachim Ruecker dhe komandantin e trupave paqeruajtëse, Roland Kather.

Plani i tij është përshëndetur dhe përkrahur nga ndërkombëtarët. presidenca e BE-së ka shprehur mbështetje për qëllimin e zotit Ahtisaari për të zhvilluar bisedime intensive me Prishtinën dhe Beogradin gjatë javëve që do të pasojnë dorëzimin e planit të tij për statusin e Kosovës.

Presidenca e BE-së i ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t'i shohin me seriozitet këto bisedime dhe pa rezerva.

Në Britani, sekretarja e jashtme britanike, Margaret Becket, gjithashtu ka mirëpritur propozimet e zotit Ahtisaari.

"Kemi arritur në një moment të rëndësishëm në procesin e statusit të Kosovës," citohet zonja Beckett në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së jashtme.

Ndërkohë, Sekretari Britanik për Evropën, Xhef Hun në një intervistë për BBC tha se kishte rëndësi që raporti i tij të pranohej nga të dy palët.

Ragip Luta bisedoi me zotin Hun dhe fillimisht e pyeti nëse Kosova po bëhej e pavarur:

Xhef Hun: A mund ta bëjë të qartë në fillim se ne gjithmonë në mënyrë konsistente dhe fuqishëm kemi përkrahur punën e shkëlqyeshme të presidentit Ahtisari. Mendojmë se është me rëndësi që raporti i tij të pranohet favorshëm nga të dyja palët, sepse në atë raport ka material për të dyja palët. Është me rëndësi që të gjithë të kenë mundësinë të shqyrtojnë ato që thuhen në plan dhe të mendojnë për to dhe shpresojmë të reagojnë pozitivisht.

BBC: Sipas njoftimeve te deritashme, plani nuk përmban as fjalën pavarësi, as fjalën sovranitet. Pritet që të dyja palët do të jenë të pakënaqura deri në një shkallë me propozimet. A jeni të brengosur se çfarë do të jenë reagimet ne terren?

Xhef Hun: Është thënë në të kaluarën se kompromis i mirë është ai që i bën të gjithë të palumtur. Unë do të thosha ndryshe se kompromis i mirë është ai që u ofron mundësi të gjithëve. Është e qartë se ka elemente në këtë plan që do të shkaktojnë shqetësime edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Prandaj, besoj se duhet të mbështesim atë që thotë Marti Ahtisaari, përndryshe njëra palë do të ishte e lumtur e tjetra e do t'ishte e zhgënjyer, dhe kjo mua nuk më duket bazë për një zgjidhje afatgjatë stabile që është ajo që natyrisht të gjithë ne po kërkojmë.

BBC: Zoti Ahtisaari tha në Beograd se do t'u japë palëve edhe një shans për të arritur një kompromis. Të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. A mendoni se vërtetë një kompromis është i mundur apo ky është një justifikim për Rusinë e cila është shprehur kundër një zgjidhje të imponuar?

Xhef Hun: Unë nuk besoj se po flasim për një zgjidhje të imponuar, por për një raport që është rezultat i një pune shumë të zellshme e të dërguarit të OKB-së, rezultat i diskutimeve në Prishtinë, Beograd e gjetiu. Tani që ai raport është në dispozicion, mendoj se është e mundur që njerëzit ta shohin situatën në tjetër dritë, sepse do ta kenë raportin dhe shpresoj që si rezultat i shqyrtimit të kujdesshëm të tij, mund të mbahet edhe një raund diskutimesh që mund të çojë deri te kompromisi. Është në interes të të gjithëve që njerëzit në Beograd dhe në Prishtinë të arrijnë në konkluzione e jo të ketë zgjidhje nga jashtë. Kjo është ajo që unë e di se Marti është vërtetë i interesuar të shohë dhe mendoj se ka të drejtë që po bën perpjekje të arrijë këtë.

BBC: Marr parasysh qëndrimet e palëve, duket se zgjidhja do të duhet të jetë e imponuar. Kur kjo të shkojë në KS te OKB, a jeni të shqetësuar që Rusia dhe Kina mund të paraqesin pengesa drejt miratimit të planit?

Xhef Hun: Mendoj se është me rëndësi që të mos parashikojmë etapën e ardhshme kur etapa aktuale sapo ka filluar, të them ende pa u tharë ngjyra e këtij plani, mendoj se është më së miri që t'u japim Prishtinës dhe Beogradit rastin të studiojnë raportin, të mendojnë për të dhe të arrijnë një kompromis në bazë të asaj që ai propozon. Kjo është mënyrë shumë më e mirë për të shkuar përpara. Është e qartë se ky raport u ofron këtë mundësi që ta bëjnë këtë.

BBC: Nga njoftimet mbi takimin e fundit të GK në Vjenë, Rusia ka shprehur pakënaqësi për planin. Mendoni se uniteti i GK do të ruhet në fund?

Xhef Hun: Unë kam marrë pjesë në takimet e Grupit te Kontaktit dhe kam parë se si zhvillohen diskutimet. Të gjithë, dua të theksoj këtë, janë të interesuar të shohin një zgjidhje afatgjatë stabile për një zonë që në të kaluarën shumë të afërt ka qenë shkaktar i jostabilitetit të madh. Unë isha në Prishtinë pak kohë pas hyrjes së trupave britanike atje, askush nuk dëshiron të shohë përsëritje të asaj gjendjeje. Prandaj, ky raport është mundësi për të ndërtuar atë stabilitet dhe do t'i bëja thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë këtë rast.

BBC: Një skenar shumë i përfolur është ai sipas të cilit kur të vijë çështja në KS të OKB do të miratohet një rezolutë për Kosovën e cila do t'i hapë rrugën shteteve individuale që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas disa njoftimeve, Britania e Madhe - nëse nuk do të jetë e para atëherë do të jetë e dyta ajo që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Si e komentoni këtë?

Xhef Hun: Përsëri, mendoj se nuk duhet të parashikojmë hapat që janë në të ardhmen. Mendoj se është me rëndësi që të shqyrtojmë me kujdes këtë plan dhe shpresoj se të gjitha palët do ta bëjnë këtë dhe kjo është një prej arsyeve përse është aq me rëndësi që në Beograd dhe në Prishtinë palët ta shqyrtojnë këtë raport të Marti Ahtisaarit në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>