|
Fushata për zgjedhjet ndez motorët | |||||||||||||||||||||||
Prej ditës së enjte në Shqipëri ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit. Me arritjen e marrëveshjes edhe mes partive të majta, gara zgjedhore ka marrë pamjen e përballjes mes dy aleancave të mëdha. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të shqetësuar se afatet ligjore është e vështirë që të arrihen. Tashmë gara elektorale është e hapur dhe shtabet e kandidatëve dhe të partive i kanë ndezur motorët e propagandës. Dy drejtuesit kryesorë të politikës, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishin të enjten në mbrëmje në të njëjtën orë në studiot e televizioneve më të shikuar. Dallohej qartë se çdo frazë e tyre ishte e llogaritur me kujdes në shërbim të fushatës zgjedhore të 18 shkurtit. Kampi i djathtë, me në qendër Partinë Demokratike është grumbulluar nën siglën 'Aleanca e Madhe', kurse kampi i majtë rreth PS-së, ka zgjedhur siglën 'Bashkimi për të Ardhmen'. Bashkë me fushatën po nis edhe gara e sondazheve për popullaritetin e kandidatëve, sidomos për Tiranën. Kandidati demokrat Sokol Olldashi e ka filluar fushatën me dorëheqjen nga posti i ministrit të brendshëm. Pritet që zemra e zgjedhjeve të jetë Tirana. Jo vetëm sepse këtu jeton pothuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë, por edhe sepse në garë është kryetari i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama. Fitorja apo humbja e tij do të ndikojë dukshëm mbi zhvillimet politike të këtij viti. Në muajin maj në Shqipëri do të jetë koha për të zgjedhur presidentin e ri të republikës, prandaj dy kampet kryesore politike i kanë ndërtuar strategjitë e tyre edhe në funksion të kësaj ngjarjeje. Në rastin e mosarritjes së votave të duhura në parlament për zgjedhjen e presidentit, sipas kushtetutës, Shqipëria do të hynte në zgjedhje të përgjithshme të parakohëshme. Për momentin, vëmendja është e përqëndruar te gara e 18 shkurtit, i cili është shumë afër. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të shqetësuar se disa afate të infrastrukturës zgjedhore janë shumë vështirë për t'u arritur. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||