 | | | Dyqan mishi |
Gjatë vitit të fundit Rusia ka vendosur ndalime të përkohshme apo të përhershme ndaj mishit nga Polonia, peshkut nga Letonia, verës, qitrove dhe ujit mineral nga Gjeorgjia, verës nga Moldavia, si dhe mishit e produkteve të qumështit nga Ukraina. Kufizime janë vendour kohët e fundit edhe ndaj importeve të sheqerit nga Bjellorusia. Qeveritë e këtyre vendeve këmbëngulin se eksportet e tyre janë të sigurta, dhe se ato në fakt po ndëshkoheshin për politikat e tyre - veçanërisht siç është rasti në shumë prej këtyre vendeve - ndaj politikave të tyre pro-perëndimore. Ato thonë se kufizimet dhe ndalimet e vendosura nga Rusia janë thjesht sanksione ekonomike të kamufluara. Ilir Nishku bisedoi me analistin e BBC-së për çështjet evropiane Jan Repa lidhur me këtë çështje dhe ndikimet që po sjell ajo. BBC: A është kjo politikë e Moskës është një luftë e re tregëtare apo diçka tjetër? Zoti Repa: Është interesante të spekulosh, sepse po të dalësh dhe të shohësh tregjet e rrugës në Rusi, rregullat e sigurisë së ushqimeve janë për të qeshur. Mendoj se në vende si Varshava apo Tbilisi këto konsiderohen si masa me motive politike. Sigurisht që ka disa procedura burokratike në Rusi që vlerësojnë sigurinë e ushqimeve të importuara. Normalisht kësaj agjencie nuk i dëgjohet zëri, por kur establishmentit i nevojitet si intrument për të bërë presion, pra që Rusia të dëmtojë vendet me të cilat ka mosmarrëveshje politike, ajo shfaqet si e rëndësishme. Është interesante të thuash se komisioneri i evropian për shëndetin Markos Kiprianu tha se rregullat e sigurisë së mishit të Polonisë ishin në nivelin e duhur tani dhe se kjo çështje ishte thjesht teknike dhe Rusia duhet të heqë si rrjedhim ndalimin pas bisedimeve në nivel teknik që pritet të zhvillohen këto ditë. Por ambasadori rus në Bruksel reagoi duke thënë se nëse autoritetet ruse janë të kënaqura me masat e sigurisë të mishit në Poloni, atëhere BE-ja dhe Rusia mund të arrijmë një marrëveshje në samitin midis kancelares gjemane Angela Merkel, që mban presidencën e radhës të BE-së, dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë. Por që një çështje teknike t'ia vlejë të diskutohet si një marrëveshje në një samit BE-Rusi tregon shumë se në çfarë rruge duan ta fusin rusët këtë çështje. BBC: Duket sikur ky problem ka shumë kohë që vazhdon dhe nuk duket se po merr zgjidhje... Zoti Repa: Ka një temë më të gjerë sigurisht. Polakët muajin e shkuar kundërvepruan duke vënë veton kundër fillimit të bisedimeve për një marrëveshje të re partneriteti midis BE-së dhe Rusisë që duhej të nënshkruhej në një samit BE-Rusi në Helsinki. Dhe kjo është një çështje teknike, sepse, nëse nuk ka marrëveshje të re partneriteti ajo e vjetra mund të vazhdojë të veprojë edhe për disa kohë. Pra, kjo tregon se diçka që do të ishte qartësisht çështje tregëtare, po politizohet. BBC: Pra, duket se kjo është një çështje politike dhe jo thjesht një çështje ekonomike? Zoti Repa: Në praktikë është e vështirë t'i ndash të dyja. Ekziston mendimi se në një vend si Rusia është presidenti ai që vendos se çfarë do të bëhet, dhe ka një makineri burokratike, që eksperienca tregon se mund përdoret si instrument për të arritur qëllime të tjera. Është e vështirë për Komisionit apo Varshavën që, të paktën publikisht, t'i japin asaj një emër tjetër, përveçse të thonë se nuk mund të gjejnë ndonjë justifikim për këto veprime. BBC: Le të flasim pak për ndikimin që sjell kjo politikë. Vendet që eksportojnë në Rusi ankohen se po i vë ato në vështirësi. Po në Rusi si shihen këto masa? Zoti Repa: Mendoj se ka disa çështje të ndryshme këtu. Mendoj se për vende si Moldavia apo Gjeorgjia, që janë të varfra, ky ndalim ka ndikim të madh ekonomik. Për vende si Polonia, në disa sektorë mund të ketë ndikim, por jo ndonjë ndikim të madh, është thjesht një element irritues në marrëdhënie. Për sa i përket Rusisë, ka disa grupe të rëndësishme e të fuqishme lobimi në Rusi, të cilëve nuk u përlqen konkurenca dhe kanë kërkuar masa proteksioniste ndaj importeve, pra për të fituar tregjet e brendshme, ndërsa për konsumatorin rus nuk mendoj se ka ndonjë ndikim të dukshëm. BBC: Pra, a mendoni se këtë çështje mund ta shohim dhe nga këndvështrimi i politikës proteksioniste, pra qeveria ruse vepron për të mbrojtur grupe të caktuara mbështetëse biznesi? Zoti Repa: Sigurisht, kjo është një mënyrë si mund ta interpretosh këtë. Por nga ana tjetër, p.sh në Varshavë, këtë e interpretojnë si një përpjekje nga Rusia për ta përçarë BE-në, për të gjetur partnerë të favorizuar me të cilët të ketë marrëdhënie në nivel bilateral, me Gjermaninë, apo Francën, dhe disa vende të tjera t'i lërë në papafingo të injoruara. Kjo - të paktën kështu interpretohet - është pjesë e përpjekjeve për të parë nëse BE-ja mund të detyrohet të luajë sipas rregullave të Rusisë. Me fjalë të tjera, nëse BE-ja pranon, hapur ose jo, se disa çështje mund të lihen mënjëanë në emër të ruajtjes së marrëdhënieve të mira midis BE-së në përgjithësi dhe Rusisë, atëhere diplomacia ruse do të kishte arritur sukses. Por ky është thjesht një intepretim dhe ne nuk mund të flasim në emër të Kremlinit. | | |