|
Evropa kalon tronditje të rrjetit energjitik | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri italian Romano Prodi ka bërë thirrje për vendosjen e një autoriteti të përbashkët për të rregulluar furnizimin me energji në të gjithë Evropën, pasi miliona evropianë u goditën nga ndërprerja e energjisë të shtunën natën. Zoti Prodi tha se sistemet e ndërlidhura të energjisë në Evropë e kërkonin këtë, ndërsa një politikan ambjentalist në Francë tha se ndërprerjet e energjisë treguan se vendi i tij duhet të konsiderojë privatizimin sistemit energjitik. Ndërprerjet e energjisë filluan në Gjermani. Kompanitë e energjisë në Gjermani po hetojnë ende lidhur me arsyet e defektit të madh të shtunën natën. Problemi filloi në qytetin veri-perëndimor të Këlnit, ku ftohja e papritur e motit bëri që njerëzit të hapin ngrohësit elektrikë duke shkaktuar mbingarkesë. Njoftimet thonë se kanë pasur defekt edhe dy linja transmetimi të voltazhit të lartë. Ndërprerja e energjisë u përhap nga Gjermania në rrjetet evropiane. Për ironi, Franca fqinje, që përdor energji të madhe bërthamore dhe është një eksportues i energjisë, ishte një nga vendet e goditura më rëndë. Për shkak të sistemeve automatike të mbylljes, rrjetit energjitik në Francë iu kërkua menjëherë të kompensonte mungesat në Gjermani. Miliona vetëve në Francë iu desh të duronin të ftohtin dhe errësirën në shtëpitë e tyre. Ndërprerjet e energjisë u përhapën në Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Portugali. U prekën gjithashtu Italia, Kroacia e Austria. U ndërpre edhe një lidhje që furnizonte me energji Marokun, Algjerinë dhe Tunizinë. Shërbimet elektrike u rivendosën në shumicën e vendeve brenda 90 minutash, por ndërprerjet kanë shkaktuar tronditje në të gjithë Evropën. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||