BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 30 tetor 2006 - 16:54 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kosovarët reagojnë ndaj referendumit

Parlamenti i Kosovës
Liderët kosovarë thonë se votimi nuk ndikon mbi statusin
Liderët e Kosovës, anëtarë të Ekipit të Unitetit, kanë shprehur keqardhje për pjesëmarrjen shumë të lartë të serbëve të Kosovës në referendumin për kushtetutën e Serbisë.

"Ndjejmë keqardhje për shkallën e lartë të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në referendumin për kushtetutën e Serbisë", u shprehën anëtarët e Ekipit të Unitetit.

Në këtë grup marrin pjesë presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit si dhe kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë.

Zëdhënësi i këtij grupi, Skënder Hyseni, tha se asnjë vendim unilateral i Beogradit nuk do të mund të ketë ndikim në procesin e statusit të Kosovës.

"Është për keqardhje që ka pasë një përgjigje çfarë ka pasur referendumi i djeshëm nga komuniteti serb në Kosovë. Por në anën tjetër duhet thënë troç se asnjë referendum, asnjë kushtetutë serbe nuk do të ketë ndikim. Ne jemi mësuar me lojrat që Serbia dhe Beogradi bëjnë me kushtetuta. Me dokumenta aq serioze bëhen lojra me lehtësi aq të madhe - diçka që nuk mund të merret as me mend. Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e statusit të Kosovës", tha zoti Hyseni.

Dy ditë më parë kryeministri i Kosovës i kishte ftuar serbët e Kosovës që të mos merrnin pjesë në referendumin për kushtetutën e Serbisë, duke i ftuar ata që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Kosovë, por ky apel i kryeministrit nuk ka pasur asnjë ndikim.

Përqindja më e madhe e votuesve serbë për këtë referendum është shënuar pikërisht në Kosovë, ku kanë votuar mbi 90 për qind e elektoratit serb.

Grupi i Unitetit të hënën ka diskutuar edhe për dokumentin e Marti Ahtisarit, i cili u është dorëzuar anëtarëve të Grupit të Kontaktit të dielën. Ata nuk e kanë komentuar përmbajtjen e tij me arsyetimin se nuk e kanë marrë tekstin integral.

Sipas zëdhënësit Hyseni ka dy mundësi për marrjen e këtij dokumenti.

"Një variant thotë se këtë tekst me propozime do ta marrim shumë shpejt, ndërkaq një variant tjetër thotë se do ta marrim kah fundi i nëntorit. Por që të dyja janë variante të pakonfirmuara 100%. Ajo që dimë në vija të trasha është se ai dokument do ta rrumbullakësojë Kosovën si shtet të pavarur", tha zoti Hyseni.

Shtypi i Prishtinës ka botuar pjesë të këtij dokumenti.

Gazeta Express e Prishtinës pretendon se ka botuar pjesën qendrore të propozimit të zotit Ahtisari, por kjo nuk është konfirmuar nga zyra e këtij të fundit, nëse teksti i publikuar është autentik.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>