BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 28 tetor 2006 - 16:03 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Serbët e Kosovës votojnë në referendum

Poster elektoral i kampit pro kushtetutës
Partitë kryesore politike serbe janë pro Kushtetutës
Qytetarët serbë të Kosovës po votojnë të shtunën në referendumin për kushtetutën e re të Serbisë.

Projektkushtetuta e cilëson Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.

Vëzhguesit e referendumit thonë se janë hapur të gjithë vendvotimet në enklavat serbe në Kosovë dhe se qytetarët serbë i janë përgjigjur në masë duke thënë se po votojnë për të siguruar mbetjen e Kosovës në Serbi.

Shumica shqiptare e ka injoruar referendumin serb dhe e ka quajtur mbajjen e tij në territorin kosovar të jashtëligjshëm.

Votim

Autoritetet serbe thonë se rreth 100 mijë serbë që jetojnë në Kosovë janë regjistruar për të marrë pjesë në votim, i cili do të vazhdojë edhe të dielën.

“Kosova në Serbi, Serbia në Kosovë. Mendoj se do të ketë sukses”, tha një qytetar Serb nga Graçanica, pasi votoi për referendumin kushtetues serb.

“Unë them se po të ishte mbajtur ky referendum më herët, mbase do të ishte më mirë, sepse më shumë serbë do të qëndronin këtu, nuk do të zhvendoseshin në Serbi. Kemi dalë për të votuar që të bëhet më mirë për ne”, u shpreh një e moshuar serbe.

Një serb nga Graçanica tha: “Kam votuar për referendumin, i cili na jep shpresë që ne do të mbesim në Kosovë. Secili shtet duhet të ketë kushtetutën e vet, pra edhe Serbia dhe ne atë e konsiderojmë ende si shtetin tonë, prandaj votojmë."

Në qendrën e votimit në Graçanicë ishte për të votuar të shtunën edhe koordinatori i Qendrës Koordinuese Serbe për rajonin e Prishtinës, Slavisha Nikoliq.

Pjesëmarrja

Në gjithë territorin e Kosovës prej orës 7 në mëngjes janë hapur mbi 250 vendvotime në enkalavat serbe, kanë njoftuar vëzhguesit e Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike.

Sipas tyre, për shkaqe sigurie nuk është hapur vendvotimi në Prishtinë, por serbëve të kryeqytetit u është mundësuar që të votojnë në Graçanicë.

Vëzhguesit thonë se në gjithë territorin e Kosovës serbët i janë përgjigjur thirrjeve për të votuar kushtetutën serbe.

Sipas Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën mbi 30 përqind të serbëve kanë votuar deri në mesditë.

Bojkot

Shumica shqiptare në Kosovë po e bojkoton referendumin.

Udhëheqësit shqiptarë kanë deklaruar se mbajtja e referendumit serb në Kosovë është e jashtëligjshme dhe e kanë quajtur përfshirjen e Kosovës në kushtetutën serbe “agresion kushtetues të Serbisë ndaj Kosovës”.

Kryeministri kosovar, Agim Çeku ka thënë se procesi i vetëm legjitim për të përcaktuar të ardhmën e Kosovës është ai i bisedimeve Prishtinë-Beograd të udhëhequra nga i dërguari i OKB-së, Martti Ahtisaari.

Ndërkaq autoritetet ndërkombëtare kanë thënë se Serbia ka humbur sovranitetin mbi Kosovën dhe se referendumi kushtetues Serb nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në procesin e zgjidhjes së statusit.

Për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë mbajtjes së referendumit serb po kujdesen paqëruajtësit e KFOR-it si dhe policia ndërkombëtare e ajo vendore, por deri tani nuk vërehen masa të shtuara të sigurisë në krahasim me ditët tjera.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>