BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 26 tetor 2006 - 08:43 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Statusi do të caktohet 'brenda vitit'

Gjatë negociatave shqiptaro-serbe
Negociatat janë zhvilluar në Vjenë
Njëri nga anëtarët e Grupit Negociator të Kosovës dhe njëkohësisht koordinator i grupeve punuese të Prishtinës, Blerim Shala, i tha BBC-së se zgjidhja për statusin e Kosovës do të jetë e imponuar nga faktori ndërkombëtar.

Zoti Shala, që i bëri këto komente pas takimit me të dërguarin e posaçëm amerikan për statusin, Frank Wisner, tha se procesi i filluar nga zoti Ahtisaari do të përmbyllet brenda disa javësh dhe sipas tij, Kosova do ta fitojë pavarësinë.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Shala dhe fillimisht e pyeti nëse procesi i zgjidhjes së statusit do të përmbyllet brenda vitit 2006.

Shala: Po absolutisht. Mendoj se është gjithnjë e më e qartë se misioni i zotit Ahtisaari dhe zyrës së UNOSEK-ut e kanë arritur kufirin e tyre.

Janë shterrë të gjitha temat e axhendës për çështjet jostatusore dhe dihen fare mirë qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit. Asgjë e re nuk mund të ndodh në javët dhe muajt e ardhshëm.

Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve eventuale në Serbi, asgjë nuk do të ndryshojë në Beograd sa i përket pozicionit karshi Kosovës, sepse ai është i çimentuar, të them, me propozimet që kanë zënë vend edhe në Kushtetutën e Serbisë.

Nëse i kthehem pyetjes suaj, absolutisht mendoj se gjithçka është e qartë dhe është çështje javësh e muajsh, logjikisht, kur duhet të përmbyllet procesi i Ahtisaarit dhe kur duhet të bëhet e ditur se Kosova do të bëhet shtet i pavarur.

BBC: Marrë parasysh të gjitha pohimet për mundësinë e shtyrjes së procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe marrë parasysh edhe qëndrimin e SHBA-së por edhe Britanisë së Madhe, mendoni ju se Washingtoni tani po luan një rol vendimtar në këtë proces të zgjidhjes së problemit të Kosovës?

Shala: Po, siç e dini gjithmonë SHBA-ja ka luajtur një rol vendimtar. Në periudhën e luftës në vitin 1998-1999, SHBA-ja i ka prirë Grupit të Kontaktit dhe NATO-s në fund në pranverë të vitit 1999 në fushatën ajrore.

Tani është situatë e ngjashme dhe në dy vitet e fundit këtu ka patur një rol të jashtëzakonshëm zoti Nicholas Burns, nënsekretari për çështje politike, kemi një unitet të plotë midis pesëshes perëndimore në Grupin e Kontaktit dhe si asnjëherë më parë është shprehur ky unitet sa i përket qëndrimit themelor se Kosova duhet të bëhet shtet dhe se procesi duhet të përmbyllet sa më parë.

BBC: Ju thoni se Kosova duhet të bëhet shtet dhe se Grupi i Kontaktit është unik për këtë çështje. Por ka edhe një zë tjetër brenda këtij Grupi, ai i Rusisë. A mundet Rusia të pengojë zhvillimet e tashme?

Shala: Jo, mendoj se në instancë të fundit Rusia nuk mund të pengojë zhvillimet e tashme në këtë pjesë të Evropës.

Kemi të bëjmë me Ballkanin perëndimor, me një rajon që ka një rëndësi strategjike për BE-në dhe për NATO-n dhe nuk ka rëndësi të tillë për Rusinë.

Por sidoqoftë, edhe dëshira jonë e Ekipit të Unitetit, është që të ketë një kompaktësi të plotë në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe që edhe Rusia të jetë bashkë me shtetet e tjera perëndimore në vlerësimin se Kosova duhet të bëhet shtet.

Kjo sepse mendoj se të gjitha argumentet janë shterrë dhe siç thash edhe më herët kjo është shumë e qartë.

Insistimet e Rusisë përndryshe janë marrë parasysh dhe dihet se Moska zyrtare që nga fillimi ka këmbëngulur që procesi duhet të jetë i negociuar, ne kemi qenë gjithmonë faktor kooperativ dhe jemi përpjekur të bëjmë negociata të mirëfillta, por kjo nuk ka ndodhur nga ana e Serbisë.

Po ashtu gjithmonë kemi supozuar se zgjidhja më e mirë do të ishte ajo që do dilte si rezultat i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, por prapë këtu faji dhe përgjegjësia bie mbi Beogradin.

Nuk mund të shtyhet në pafundësi procesi. Zoti Ahtisaari ka një mandat të qartë, ai mund të arbitrojë mund të ofrojë zgjidhjen që patjetër do të imponohet sepse në të kundërtën ky proces do të kryhej.

BBC: Por zoti Shala nëse janë shterrur të gjitha mundësitë dhe nëse nuk mund të bëhet fjalë më për vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit ju po thoni se zgjidhja do të imponohet.
Atëherë si mendoni ju se do të zbatohet kjo zgjidhje e imponuar?

Shala: Ju e dini fare mirë, se në të gjitha krizat e ish-Jugosllavisë, herët a vonë, është dashur të vijë periudha e imponimit të zgjidhjeve dhe kjo do të ndodh edhe në Kosovë.

Realiteti është ai që është i njohur për të gjithë ne.

Mendoj se si Grupi i Kontaktit, si UNOSEK-u dhe edhe ne do të pajtohemi që zgjidhja të jetë e mirëpritur nga të gjithë dhe jam i bindur se kështu do të jetë.

Është çështje më vete se cili do të jetë qëndrimi apo reagimi i Beogradit dhe i serbëve në veri të Kosovës.

Nëse ju kujtohet periudha e njohjes së Kroacisë, kemi patur situata kur një pjesë e këtij vendi nuk ka qenë i kontrolluar nga vetë Zagrebi, por pas një periudhe të caktuar është rimarrë kontrolli i asaj pjese dhe territori, për arsye se Kroacia është njohur në kufijtë e vitit 1974.

Kështu edhe Kosova në bazë të parimeve themelore të Grupit të Kontaktit do të njihet në ata kufij.

Kufijtë janë të pandryshueshëm dhe gjendja e sotme nëse është në kundërshtim me atë parim, heret a vonë do të prishet dhe do të ndodhë barazpeshimi midis parimeve të Grupit të Kontaktit, midis njohjes së Kosovës dhe realitetit në terren.

BBC: Dhe fare shkurt, zoti Shala, besoni ju se viti 2006 do të jetë vit i përmbylljes së statusit të Kosovës?

Shala: Jam shumë i bindur se viti 2006 do të jetë vit kur do të merret vesh se cili do të jetë statusi i Kosovës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>