|
Intervistë me ministrin e Energjetikës | |||||||||||||||||||||||
Ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, i tha BBC-së se Kosova me projektin për ndërtimin e një Termocentrali të ri do të bëhet partner i fuqishëm në Evropë. Ai ka thënë se Kosova ka potenciale të mëdha që të bëhet një fuqi ekonomike dhe politke në rajon. Ministri Çeku u shpreh kështu në përmbyllje të një konference dyditore ndërkombëtare për investitorët në sektorin e energjisë elektrike, ku morën pjesë një numër kompanish vendase dhe të huaja. Me ministrin bisedoi Arbër Vllahiu dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim se çfarë ishte synimi i Konferencës dhe çfarë u arrit me të… Çeku: Ne në radhë të parë kemi dashur që t’i informojmë për potencialin ekonomik që e ka Kosova në fushën e energjisë elektrike, në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike, siç është linjiti dhe gjithashtu edhe për mundësitë e investimeve të tyre në fushën e energjisë elektrike. BBC: Zoti ministër, a është shprehur ndonjë interesim i investitorëve për të investuar në Kosovë dhe posaçërisht në fushën e energjisë elektrike? Çeku: Ju jeni të informuar se në gjithë rajonin e Evropës Juglindore ka mungesa të mëdha të energjisë elektrike. Përafërsisht mungojnë rreth 14 mijë Megawat energji elektrike. BBC: Projekti juaj kryesisht mbështet në rezervat e linjitit dhe ju thoni se Kosova është e pasur me linjit. A ka ndonjë rrezik që këto rezerva të dëmtohen pa ndonjë përfitim që mund të ketë Kosova? Çeku: Përfitimet janë mjaft të mëdha. Ju e dini se çmimet e energjisë elektrike kanë arritur kulmin e tyre. Tani çmimet kalojnë edhe 70-80 Euro Megawat orë, kurse në disa vende edhe 100 Euro. BBC: Kur flisni për projektin tuaj, ai është një prej projekteve më madhor në Kosovën e pasluftës. A mund ta bëj ai Kosovën një lloj partneri të barabartë në rajon? Çeku: Me të drejtë e theksuat se ky projekt definitivisht Kosovën do ta vendos në brendinë e vendeve të zhvilluara dhe të vetë BE-së. Ai do ta bëjë Kosovën një vend që vendet e tjera të rajonit do ta kenë lakmi për zhvillimin në fushën e energjisë elektrike. Ne tani jemi partnerë të barabartë të BE-së në fushën e energjisë elektrike. Me të drejtë mund të themi se ky projekt do ta ofrojë dhe vendos Kosovën në epiqendër të fuqishëm ekonomik dhe politik në strukturën evropiane. BBC: Ne po flasim për një projekt që do të fillojë së funksionuari brenda disa vjetësh. Por Kosova aktualisht ka probleme të mëdha me energjinë elektrike. Atëherë, si do t’ua sqaroni qytetarëve se duhet të presin disa vjet deri sa të mos stabilizohet gjendja? Çeku: Ne kemi edhe një politikë afatshkurtër për stabilizimin e gjendjes me energji elektrike. Jemi duke shikuar mundësitë e riprogramimit të politikave tona në drejtim të KEK-ut që për periudhën e viteve 2007-2008 të kemi një stabilizim me energji elektrike. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||