|
Çeku mbështet deklaratën e Ahtisarit | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha të martën se as optimistët më të mëdhenj nuk mund të presin që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Këto komente kreu i qeverisë së Kosovës i bëri pas deklaratës pesimiste që kryenegociatori Marti Ahtisari, bërë të hënën. Z. Ahtisari tha në Helsinki se nuk shihte që bisedimet të rezultonin me gjetjen e një zgjidhje të negociueshme. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të drejtuara prej tij në rolin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, nisën në Vjenë në shkurt të këtij viti. Kryeministri Çeku shfaqi bindjen se Prishtina mund të pajtohet me ndërmjetësit ndërkombëtar, por jo me Beogradin. "Optimistët më të mëdhenj nuk kanë mundur të parashohin një zgjidhje e cila do të harmonizohet apo do të dakordohet mes Prishtinës e Beogradit, " tha z. Çeku. "Ne jemi duke bërë përpjekje që ta mbështesim Ahtisarin dhe ta gjejmë një zgjidhje që përkon me vizionin e tij dhe tonin për Kosovën". Mbështetje Kryeministri Çeku udhëton të martën drejt Londrës, ndërsa javën e ardhshme shkon në Paris. Ai do të kërkojë mbështetjen e Britanisë dhe Francës që statusi të zgjidhjet gjatë këtij viti dhe që procesi të përfundojë me pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Prishtina nuk frikësohej nga imponimi i zgjidhjes së statusit të Kosovës. "Ajo që është e rëndësishme tash për tash është të sigurojmë zgjidhjen këtë vit, kemi argumente të mjaftueshme se çdo zvarritje është në dëm të të gjithëve dhe në dobi të askujt dhe këto argumente do t'i shpalosim. Mendoj se do të kthehem nga këto udhëtime (në Londër dhe në Paris) më optimist nga sa jam tani", tha kryeministri kosovar, Agim Çeku. Ndërkohë një delegacion nga Kosova ka shprehur interesim që të vizitojë edhe Moskën, por autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar se do të pranojnë vizitën e delegacionit kosovar dhe takimet me zyrtarët rus. Ekipi Negociator i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim, anëtarë të delegacionit kosovar për status, do të vizitojnë qendrat më të rëndësishme të vendosjes në botë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||