BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 05 tetor 2006 - 14:30 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Nuk ka sinjale ende për shtyrje date

Agim Çeku
Kryeministri i Kosovës po takohet me përfaqësues të Grupit të Kontaktit
Në Prishtinë po mbahet një takim i kryeministrit Agim Çeku me shefat e zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit në Kosovë.

Grupi i Kontaktit ende nuk ka dhënë sinjale për mundësinë e shtyrjes së procesit të zgjidhjes së statusit për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare që mund të mbahen në Serbi në muajin dhjetor.

Zyra e misionit ndërkombëtar për statusin e Kosovës ndërkaq ka theksuar se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të mund të shtyhet vetëm nëse Grupi i Kontaktit e ndryshon afatin e përcaktuar më parë, respektivisht fundin e këtij viti.

Deklaratën e kryenegociatorit Martti Ahtisari për shtyrjen e mundshme të paraqitjes së rekomandimit të tij në KS të OKB-së e ka përkrahur të mërkurën edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Javier Solana.

Pak ditë më parë, Grupi i Kontaktit në takimin ministror në Nju-Jork ka deklaruar se zgjidhja e negociuar për statusin e Kosovës duhet të gjendet deri në fund të vitit 2006 dhe u ka tërhequr vërejtjen Prishtinës dhe Beogradit se asnjëra palë nuk mund ta bllokojë procesin e bisedimeve në mënyrë të njëanshme.

Ndërkohë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë kërkuar që procesi i statusit të përfundojë këtë vit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu pas takimit me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka deklaruar se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet këtë vit me pavarësi.

Ndërkaq përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, gjermani Karl Lamers tha se të gjithë pajtohen që nuk do të ishte mirë të kishte ndonjë vonesë në përcaktimin e statusit të Kosovës, për shkak të pritjeve pozitive që kanë qytetarët e Kosovës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>