BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 05 tetor 2006 - 16:40 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
'Nuk do të ketë shtyrje të procesit'
Kosovë
Qeveria e Kosovës, përmes Këshilltarit të lartë politik të Kryeministrit, është shprehur e bindur se nuk do të ketë shtyrje të procesit të statusit të Kosovës.

Arben Qirezi ka deklaruar për BBC-në se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë sinjal për një mundësi të tillë, dhe se ajo është e bindur se presidenti Ahtisari do ta paraqesë paketën e tij për statusin në fillim të muajit të ardhshëm.

Muharrem Nitaj i BBC-së, në intervistën që i mori Këshilltarit politik të kryeministrit të Kosovës, zotit Arben Qirezi, fillimisht e pyeti se si i komentonte ai zërat për mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit, kjo për shkak të zgjedhjeve në Serbi?

Qirezi: Qeveria e Kosovës konsideron se zgjedhjet në Serbi dhe miratimi i kushtetutës së Serbisë, janë çështje të brendshme të saj. Si të tilla ato janë karakterizuar gjerësisht edhe nga faktori ndërkombëtar, prandaj ne konsiderojmë dhe besojmë fuqishëm se ato nuk do të duhej të kenë dhe nuk do të kenë në përcaktimin e statusit final të Kosovës.

BBC: A ka marrë Qeveria e Kosovës ndonjë sinjal për mundësinë shtyrjes së vendimit për statusin e Kosovës.

Qirezi: Qeveria e Kosovës, deri më tani nuk ka marrë asnjë sinjal të tillë. Në bazë të deklaratës ministeriale të Grupit të Kontaktit të mbajtur në New York, është thënë se Grupi i Kontaktit është i përcaktuar që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të vitit 2006 dhe se asnjërës pale nuk do t’i lejohet që ta shtyjë procesin.

BBC: Në rast se ju do të vendoseni përpara “aktit të kryer” dhe zoti Ahtisari nuk do ta paraqesë raportin e tij gjatë nëntorit, siç ishte parlajmëruar dhe nëse Grupi i Kontaktit do ta shtyeëj procesin për përcaktimin e statusit të Kosovës, cila do të jetë përgjigja e Qeverisë suaj?

Qirezi: Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në procesin e disenjuar ndërkombtarisht, të cilin e udhëheq presidenti Ahtisari e kjo është në të mirë të Kosovës dhe të pavarësisë së saj. Ne nuk besojmë se zoti Ahtisari do të vonohet në paraqitjen e raportit dhe të propozimeve të tij për statusin final. Ne besojmë se paraqitja e paketës së propozimeve do të bëhet me kohë dhe do të shqyrtohet me kohë nga Grupi i Kontaktit dhe i tërë procesi do të shkojë me kohë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

BBC: Kjo “me kohë” që po e përmendni ju, nënkupton fundin e këtij viti apo jo?

Qirezi: Kjo dmth. sipas orarit të përcaktuar më parë, në bazë të të cilit zoti Ahtisari do të paraqesë draftin e parë të paketës që do të ndodhë diku në fillim të nëntorit.

BBC: Zoti Qirezi në një ragim të AAK-së, me sa kuptova unë është thenë se vendimet e Grupit Negociator të Kosovës do të vlenin vetëm në rast se procesi i statusit përfundon brenda vitit, në të kundërtën jo?

Qirezi: Besoj se ky është një keqinterpretim i deklaratës së AAK-së, e cila e ka riktheksuar në mënyrë specifike përcaktimin e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e statusit të Kosovës deri në mbarim të këtij viti dhe ka shprehur një përkrahje të plotë për qëndrimet e deritanishme të Grupit të Unitetit.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>