BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 19 shtator 2006 - 15:24 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kryeministri Çeku thotë Kosova ofroi maksimumin
Kryeministri Agim Çeku
Çeku: në shtetin e pavarur pakicat do të jenë të barabarta
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku në një intervistë për BBC- në thotë se Prishtina ka ofruar maksimumin dhe se nuk ka ku të shkojë më tutje.

Ai vlerëson se zhvillimet e kësaj jave në Nju Jork janë vendimtare për Kosovën.

Me kryeministrin Çeku bisedoi Muharrem Nitaj dhe fillimisht e pyeti për mbledhjen e javës së shkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Çeku: Përshtypja ime e parë është që kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit ka treguar një qasje më pozitive ndaj Kosovës. Unë isha edhe para tre muajsh këtu dhe është vërejtur një qasje më pozitive, më konstruktive, ndaj Kosovës nga pothuasje të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Dhe, kjo është meritë e popullit të Kosovës i cili ka arritur që të prodhojë më shumë argumente që mbështesin kërkesën tonë për pavarësi kështu që unë jam i kënaqur me debatin dhe vlerësimin që i është bërë Kosovës në këtë takim.

BBC: Ju iu keni shkruar edhe një letër anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe keni bërë të qartë në fakt se Kosova pretendon që të jetë e pavaruar dhe me të drejta të plota duke patur një sovranitet të plotë. Mund të thoni si është pritur letra e juaj?

Çeku: Ka patur reagime. Qëllimi i kësaj letre ka qenë të tregonte se Kosova nuk dëshiron zvarritjen e procesit të statusit. Nuk dëshirojmë një zgjidhje e cila mban në vetvete pakthjelltësi dhe gjithëkuptimësi. Dëshirojmë që të jetë një zgjidhje shumë e qartë, e cila hap perspektivë dhe kjo është pavarësia. Ky qëndrim ka gjetur mirëkuptim sidomos tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka përpjekje, sidomos nga presidenti i Serbisë, në kohën që ka qenë në SHBA - mesazhi i tij ka qenë që të pengohet dhe të shtyhet sa më shumë çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ka njerëz brenda bashkësisë ndërkombëtare që kanë patur mirëkuptim për një qasje të tillë, por ne jemi duke biseduar me të gjithë, jemi duke i bindur ata se tashmë zgjidhja duhet të jetë e qartë, duhet të jetë e plotë dhe duhet të jetë brenda këtij viti.

BBC:Kryeministër Çeku do të ketë edhe dy ngjarje të rëndësishme për procesin, i cili tashmë duket se do të futet në finale. Është mbledhja e Grupit të Kontaktit në nivel të ministrave të Jashtëm dhe më pas edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurimit ku do të ketë edhe një raport nga ndërmjetësi ndërkombëtar, Ahtisari. A po e ndjeni edhe ju që i gjithë procesi po futet në finale, më në fund?

Çeku: Po është më se e vërtetë. I gjithë procesi po futet në finale. Edhe Ahtisari pritet të paraqesë një raport të qartë. Më datë 22 është mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku Ahtisari do të prezantojë para Këshillit të Sigurimit ecurinë e procesit. Ai i ka kërkuar presidentit të Serbisë që të jetë në këtë takim gjithashtu, ku ai pritet të shfaqë mendimin e tij. Unë kam kërkuar që në këtë takim të jetë edhe presidenti i Kosovës, apo dikush nga ekipi negociator, që të dëgjohet edhe zëri i jonë dhe argumentet tona për pavarësinë e Kosovës, kështu që pritet që edhe ne të jemi prezent më datën 22.

BBC:Zoti Çeku, pikërisht në fazën kur procesi po hy në finale ka dalur një deklaratë interesante e presidentit rus Putin, e cila ka shkaktuar reagime, jo vetëm në opinionin e brendshëm në Kosovë, por dhe më gjerë. Në deklaratë thuhet se në rast se do të vendoset në atë mënyrë që është në kundërshtim me interesat e Rusisë, kjo e fundit do të mund të vendosë veton e saj. Do të më interesonte se si e keni marrë ju këtë mesazh?

Çeku: mendoj se nuk është shumë befasuese që gjatë gjithë procesit Rusia, edhe pse anëtare e Grupit të Kontaktit, ka patur një qëndrim paksa më ndryshe nga të tjerët. Shihet qartë që ata janë të njëanshëm në këtë proces. Ata janë pjesë e vendimmarrjes. Mendoj që janë të vetëdijshëm edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarë të tjerë të Grupit të Kontaktit dhe besoj se në fund të fundit Rusia nuk do të dalë kundër vullnetit, në radhë të parë të popullit të Kosovës dhe pastaj edhe të vullnetit të anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit. Mendoj se nuk është se nuk duhet të shqetësohemi, por nuk besoj se do të prishet uniteti i Grupit të Kontaktit për Kosovën.

BBC:Me fjalë të tjera besoni se komuniteti ndërkombëtar do të jetë një rreth qëndrimit mbi Kosovën?

Çeku: Unë mendoj se po. Qëllimi është i tillë. Këtu kam vënë re një vullnet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithë faktori ndërkombëtar, sidomos të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit, për zgjidhjen e Kosovës, sepse vetëm ashtu kjo zgjidhje do të jetë e qëndrueshme, në qoftë se është e pranueshme dhe e mbështetur nga të gjithë faktorët relevantë që përfshihen në procesin e vendimmarrjes.

BBC:Kryeministër Çeku Beogradi akoma është i pakompromis, akoma ka fare pak gjasa që përfundimisht të arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës. Besoni se kjo do të jetë një zgjidhje, e cila do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit. Sa do të jetë në përputhje me interesat e popullit kjo zgjidhje dhe sa në kundërshtim?

Çeku: Unë mendoj që zgjidhja nuk do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit. Zgjidhja do të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit. Ahtisari do të nxjerrë një propozim të vetin dhe biseda do të zhvillohet rreth atij propozimi. Kështu që do të vijë në Këshillin e Sigurimit e miratuar nga të gjithë anëtartë e Grupit të Kontaktit, por në radhë të parë e pranueshme për popullin e Kosovës.

BBC:Keni patur edhe disa kundërshtime brenda. Ka patur disa protesta edhe në Viti edhe në Gjilan. Ka edhe disa lëvizje që do të donin ta paraqisnin të gjithë procesin e bisedimeve dhe të negociatave në përgjithësi, si një proces, i cili është kundër interesave të Kosovës.

Çeku: Me siguri që nuk është kundër interesave të Kosovës. Unë i kuptoj shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Edhe ne kemi shqetësime, por sidoqoftë ne jemi në proces. E kemi bërë të qartë se dëshirojmë në radhë të parë që të ndërtojmë një shtet, ku pakicat do të jenë të barabarta. Jemi duke i akomoduar pakicat. Nuk po bisedojmë për statusin e Kosovës, por për pozitën e komuniteteve të pakicës në Kosovë. Për ne çdo gjë është pavarësia e plotë dhe e pakushtëzuar e Kosovës. Kështu që ne jemi në proces, ai vazhdon, por është shumë herët që të japim gjykime. Pasi të përfundojë do të shihet puna e të gjithëve, sidomos e Grupit të Kontaktit.

BBC:Nuk po kërkoj që ta dekonspironi presidentin Ahtisari, por do të më interesonte nëse keni sinjale çfarëdo qoftë lidhur me raportin që do të paraqesë ai në seancën e Këshillit të Sigurimit?

Çeku: Zëvendësi i tij, zoti Rohan, e ka paraqitur edhe në Sofje. Ahtisari ka paraqitur se pala kosovare, është palë konstruktive, është palë zemërgjerë, bujare dhe ofron zgjidhje që i tejkalojnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e komuniteteve dhe kjo me siguri do të jetë një vlerësim pozitiv për ne. Ne do të mund të themi mjaft në shumë gjëra që kërkohen nga ne. Në të vërtetë kemi arritur tek vijat e kuqe, jo përsa i përket mungesës së vullnetit që po ua japim pakicave, të drejtat që ata kërkojnë, por për shkak që ne kërkojmë që vendi ynë të jetë stabil që këto kërkesa të mos tejkalojnë dhe të vënë në pikëpyetje stabilitetin e vendit.

BBC:Kryeministër Çeku, ka patur një vlerësim me Sekretarin e Përgjithshëm Anan lidhur me disa tendenca shumë pozitive të zhvillimeve në Kosovë, në këtë kuadër edhe në përmbushjen e standardeve. Ka vlerësime të tjera për një bashkëpunim të ekipit të unitetit të Kosovës, të palës së Prishtinës, ndërkohë që gjithnjë e më tepër po dëgjohen deklarata që edhe Prishtina edhe Beogradi duhet të jenë më fleksibël në qëndrimet e tyre. Nuk e kam të qartë, çfarë mendohet kur kërkohet që Prishtina të jetë më fleksibël?

Çeku: Unë mendoj se ata që nga fillimi i këtij procesi kanë thënë kështu dhe Prishtina e ka dëshmuar që ka qenë më fleksibël. Ne vërtetë kemi marrë disa vendime shumë të vështira, në lidhje me organizimin e brendshëm të pushtetit lokal. Kështu që ne i jemi përgjigjur kësaj kërkese dhe nuk mund të bëhemi më fleksibël se sa kemi qenë.

BBC:Përfundimisht kryeministër besoni se fundi i vitit do ta përfundojë statusin?

Çeku: Unë e besoj dhe këtë përkushtim e pashë edhe në Uashington edhe në Nju Jork dhe besoj se është një përkushtim jashtëzakonisht i madh i popullit tonë dhe argumentet që ne i parashtrojmë janë shumë të fuqishme që vërtet procesi duhet të përfundojë brenda këtij viti.

BBC: Keni kërkuar që Kosova të ketë vend në Këshillin e Sigurimit?

Çeku: Absolutisht po. Në çdo takim e kërkojmë këtë. Kërkesa e jonë është që Kosova të jetë një shtet normal. Domethënë, me të gjitha elementet e shtetit, absolutisht i barabartë që të mos ketë asnjë paqartësi, asnjë dykuptimësi, asnjë kushtëzim dhe vendi në Kombet e Bashkuara është një element shtetëror, një identitet shtetëror dhe ne këtë gjë e kërkojmë me këmbëngulje. Gjithashtu edhe forcën e mbrojtjes. Gjithashtu ne i kërkojmë edhe këto dy elemente të fuqishme të shtetësisë.

BBC:Forca e mbrojtjes nuk nënkupton që komuniteti ndërkombëtar edhe për një kohë të mos qëndrojë në Kosovë?

Çeku: Jo absolutisht nuk e nënkupton. Kjo është në të mirë të komunitet ndërkombëtar që do të na ndihmojë që ne të ndërtojmë një forcë mbrojtëse, bazuar dhe në përputhje me standardet e NATO-s dhe ato perëndimore dhe do ta ndihmojë forcën e NATO-s në Kosovë që shumë detyra ne do të mund t'i kryejmë vetë dhe gradualisht ata t'i zvogëlojnë forcat e tyre në Kosovë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>