|
Makolli kundërshton raportin e UNICEF-it | |||||||||||||||||||||||
Ibrahim Makolli, një zyrtar i Këshillit të Prishtinës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, thotë se raporti për trafikimin e fëmijëve për qëllime seksi, në pjesën për Kosovën nuk është i saktë. Për më tepër, zoti Makolli thotë se nuk e kupton faktin se në interesin e kujt mund të jetë publikimi i të dhënave kaq shqetësuese për Kosovën, kur të dhënat e institucioneve të Kosovës për trafikimin janë krejtësisht të tjera. Korrespondenti i BBC-së, Muharrem Nitaj, në intervistën që i mori zotit Makolli, fillimisht e pyeti se si e komentonte ai raportin e Unicefit, ku edhe Kosova përfshihej në mesin e katër vendeve me shkallë të lartë të trafikimit të fëmijëve për qëllime seksi. Makolli: Jemi te vetëdijshëm se edhe në Kosovë ka prani të prostitucionit dhe të trafikimit, por numri është shumë i vogël, në raport me vendet në të cilat përfshihen në raportin e UNICEF-it. Në fakt numri është simbolik. BBC: A mund të thuhet se raporti i UNICEF-it ku përfshihen katër vende ku ka trafikim të theksuar me qëniet njerëzore, posaçërisht të fëmijëve, nuk është i saktë në pjesën për Kosovën? Makolli: Kur flitet për Kosovën, nuk ka ndonjë ndarje dhe lexuesi mund të krijojë një përshtypje të gabuar se në Kosovë ka numër të madh ose përmasa të mëdha të trafikimit të fëmijëve me qëllim seksi, që natyrisht nuk përkon me realitetin. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të vihet një paralele në mes të Kosovës dhe vende të tjera. BBC: Zoti Makolli po përmendni dy herë se numri i të trafikuarëve në Kosovë është simbolik. A mund të më thoni se çfarë nënkuponi me këtë. Sa është simbolik ai numër? Makolli: Po shikoni, shifrat zyrtare, qoftë në Shërbimin Policor të Kosovës, qoftë në prokuroritë e Kosovës, qoftë në gjykatat e Kosovës flasin për numra që mund të numërohen me gishtërinjtë e një dore. Prandaj të dhënat e UNICEf-it se ka numër të madh të të trafikuarëve, nuk qëndrojnë. Prandaj, këtu do të duhej të shikohej arsyeja e kujtdo qoftë që të paraqesë të dhëna kaq shqetësuese për Kosovën, kur institucionet nuk kanë këso të dhënash. Këtu mund të thuhet se ndoshta mund të ketë ndonjë gabim në këtë raport, megjithëse pjesërisht qëndrojnë të dhënat e ofruara, por në disa pjesë raporti flet në mënyrë absolute për të pavërteta në Kosovë, të cilat jo vetëm e dëmtojnë imazhin e Kosovës, por dëmtojnë edhe përpjekjet tona të përgjithshme për t’i luftuar këto dukuri. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||