BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 31 gusht 2006 - 13:22 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Maria Kalivis e UNICEF-it flet për BBC
Një ish fëmijë i trafikuar
Një raport i UNICEF-it, i përqëndruar në fëmijët, viktima të trafikimit në Shqipëri, Kosovë, Moldavi e Rumani, kritikon përpjekjet e bëra në këto vende për të luftuar trafikimin.

Në raport thuhet se çdo vit, përtej kufijve të këtyre vendeve kalohen 6 deri 14 mijë fëmijë - shumica e tyre për t'iu nënshtruar shfrytëzimit seksual.

Për të marrë më shumë informacion mbi këtë raport, Oltion Kadaifciu foli me drejtoreshën rajonale të Evropës Juglindore dhe Qëndrore në UNICEF, Maria Kalivis dhe fillimisht e pyeti se cilat janë perfundimet kryesore të këtij studimi?

Kalivis - Më e rëndësishmja është që të nënvizohet se ky është një studim që hedh një shikim mbi disa përpjekje për të parandaluar trafikimin e fëmijëve dhe ajo çka ai ka nxjerrë është se ka pasur përparim në disa fusha, por jo shumë, dhe se shumë nga strategjitë kanë nevojë të përmirësohen më tej.

Pra mund të themi se ka patur përmirësim në shumë prej ligjeve dhe mekanizmave në terren, në hetimin e kriminelëve, por kur është fjala për parandalimin mund të themi se ka shumë boshllëqe.

Ka fushata sensibilizuese, por këto fushata jo gjithnjë i adresohen grupit të duhur, boshllëku i dytë është rreth të dhënave, që nuk janë të plota dhe të mjaftueshme. Dhe të dhënat janë të nevojshme që të përgatiten programe të mira.

Boshllëku i tretë i takon faktin se sa shërbimet e ndryshme komunikojnë me njëri - tjetrin. Shkëmbimi i informacioni me policinë e kufirit, me shërbimet sociale, informacioni me shkollat, me mësuesit, jo gjithmonë është i mirë-koordinuar.

BBC- Në cilat vende u zhvillua ky studim?

Kalivis - Studimi u zhvillua në një seri vendesh të Evropës Juglindore që përfshinin Shqipërinë, Moldavinë, Rumaninë dhe në Kosovë, që administrohet nga Kombet e Bashkuara.

BBC- Cilat janë gjetjet kryesore për Shqipërinë dhe Kosovën?

Kalivis - Duhet të themi se nuk ka shumë gjetje që i përkasin ekskluzivisht Shqipërisë se sa më shumë faktit se këto vende kanë hedhur dritë mbi çështje të programeve që merren me masa të antitrafikimit për fëmijë. Përsa i përket Shqipërisë, ne e dimë se Shqipëria ka qenë vend i origjinës, kalimit dhe destinacionit për disa nga fëmijët e trafikuar.

Ne kemi parë tendencat, nuk kemi të dhëna të sakta, por dimë që shumë fëmijë të moshës midis 8 deri 14 vjeç janë trafikuar në vendet fqinje, Greqi për të kërkuar lëmoshë.

Ajo që është mjaft pozitive për Shqipërinë është arritja e marrëveshjes mes Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë për mbrojtjen e fëmijëve viktima të trafikut. Dhe unë mendoj se arritja e kësaj marrëveshje do të çojë në njëfarë mënyrë në zgjidhjen e konfliktit.

Por ky studim padyshim nxjerr në pah se sa shumë fëmijë të trafikuar vijnë nga komuniteti rom dhe një nga rekomandimet e bëra është se ne kemi nevojë shumë më tepër që të adresojmë
diskriminimin, problemet e zhvillimit të këtyre komuniteteve, të garantojmë që fëmijët janë të regjistruar të qëndrojnë në shkollë dhe të kenë akses në punësim.

BBC-Një aktivist i të drejtave të njeriut nga Kosova tha se të dhënat e publikuara në studim nuk janë të sakta, cili është komenti juaj për këtë?

Kalivis - Ky studim nuk nxjerr të dhëna, sepse nuk ishte ky objektivi i tij, sa herë që mundemi ne përdorim të dhëna të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, ajo ç'ka ne i referohemi në studim, bazuar edhe në të dhëna të studimeve të tjera, janë tendencat modelet e emigrimit.

Mesazhi i raportit në të vërtetë është se çfarë ka nevojë që të bëhet për të parandaluar trafikimin para se ai fillojë.

BBC-Ju keni përfshirë Kosovën në studimin tuaj, cilat janë gjetjet atje?

Kalivis - Është pak a shumë e ngjashme me gjetjet e vendeve të tjera. Në vendin e administruar nga OKB-ja në Kosovë, një prej problemeve është se fëmijët janë të ekspozuar, fëmijët shpesh vijnë nga familje të varfëra, fëmijë që kanë vuajtur abuzime në shtëpi, fëmijë që largohen nga shkolla, fëmijë që diskriminohen dhe padyshim për ata që nuk kanë mundësi më të mira, të rinj që nuk kanë punë dhe kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit.

Tani, gjithësesi mesazhi është se ne kemi nevojë për sistem mbrojtjeje sociale që të punojë brenda komunitetit, aty ku fëmijët janë dhe të parandalojë ata që të hyjnë në rrugët e trafikimit.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>