|
Analizë: 'Rishfaqje' e mundshme e Al-Kaidës | |||||||||||||||||||||||
Ekspertët në mbarë botën po debatojnë se kush qëndron pas komplotit terrorist të zbuluar të enjten në Britani dhe nëse ekzistojnë gjasat që Al-Kaida të ketë gisht në të. Analisti i BBC-së për Çështjet Islamike Roger Hardy, në një intervistë me Albana Kasapin thotë se gjasat egzistojnë që në këtë komplot të jetë e përfshirë e ashtuquajtuara Al-Kaida e re. Sipas tij, kjo lëvizje globale, shfrytëzon pakënaqësitë në mesin e myslimanëve në moshë të re, të lindur në vende si Britania, ndaj politikës së jashtme që ndjek vendi i tyre dhe Amerika në vendet arabe si Iraku, Afganistani, e së fundmi, Libani. Q: Çfarë tregon ky komplot i fundit për kërcënimin terrorist sot në botë? Hardy: Edhe pse nuk janë dhënë ende përgjigje për shumë pyetje në lidhje me këtë komplot të fundit në Britani, mendoj se tashmë është e qartë se kërcënimi që përbëjnë islamistët radikalë, nuk ka rënë në mënyrë të ndjeshme që nga 11 shtatori. Pothuajse pesë vjet më pas, ka prova të forta, që nuk mund t'i injorojmë e as t'i kundërshtojmë, se ekzistojnë grupe, si në këtë rast në vendet perëndimore, që po planifikonin dhe që me sa duket ishin fare pranë ekzekutimit të një sulmi që në shumë aspekte, do të ishte më i madh-në numrin e viktimave të mundshme që mund të shkaktonte, në numrin e avionëve që do të përfshinte-sesa sulmi i 11 shtatorit. Q: Ekspertët kanë shprehur dyshime se pas këtij komploti të fundit qëndron Al-Kaida. Nëse këto dyshime do të vërtetoheshin, çfarë do të na tregonte kjo për organizatën dhe për këmbënguljen e saj për të vazhduar sulmet? Hardy: Mendoj se tani është qëllimi i guximshëm i këtij komploti, që po i çon ekspertët në mbarë botën të spekulojnë, të mendojnë për përfshirje të Al-Kaidës. Ndoshta nuk ka prova të forta, por kjo është një linjë logjike spekulimi. Ky komplot i fundit do të sugjeronte një ndryshim për Al-Kaidën. Gjatë dy-tre vjetëve të fundit kemi parë sulme mbi të ashtuquajturat 'objektiva të buta': sinagoga në Turqi.., varrezë hebraike në Marok, sulmet famëkeqë mbi klubet e natës në Bali dhe Indonezi. .. Të gjithë këto janë vende ku takohen shtetas perëndimorë, jo të besimit mysliman, ku mund të shkaktohet një numër i madh viktimash në mesin e civilëve dhe pa shumë mundim... Ky komplot që është zbuluar tani në Britani sugjeron, e para, se objektivi kryesor i radikalëve islamistë për sulmet e tyre mbetet Amerika; e dyta, se organizata beson se nëse Amerikën nuk mund ta sulmosh në territorin e saj, gjëja më e mirë që mund të bësh, është që të përdorësh një vend si Britania. Atje mund të gjesh myslimanë në moshë të re që janë shtetas britanikë dhe për këtë arye mund t'u hipin avionave për në Amerikë pa vështirësi. Zgjedh pastaj avionë amerikanë, që janë në fakt objektiva amerikanë dhe synon që t'i hedhësh ata në erë kur fluturojnë mbi Atlantik. Kjo e fundit po ashtu ofron dhe një avantazh tjetër: provat fundosen në fund të oqeanit. Unë bie dakord me mendimin e njërit prej akspertëve më të mirëinformuar amerikanë në fushën e terrorizmit, Bruce Hoffman nga një institut i njohur në Uashington se ky komplot, tregon në fakt ridaljen në skenë të Al-Kaidës. Kjo nuk do të thotë se organizata nuk ka qenë aktive apo e padukshme, por tregon se ajo ende mund të synojë të godasë objektiva me të vërtetë të rëndësishëm, të mëdhenj edhe nëse nuk do të ketë sukses si në këtë rast. Q: Edhe ky komplot i fundit, si 11 shtatori, tregoi që islamistët radikalë, qofshin ata anëtarë të Al-Kaidës a ndonjë grupimi tjetër, duan me çdo kusht të godasin Amerikën dhe Britaninë si në këtë rast. Pse? Hardy: Ka dy gjëra. Unë mendoj se të dyshuarit ka më shumë gjasë të jenë përfaqësues të asaj që shumë tani e quajnë Al-Kaida e re. Jo ajo origjinalja, që drejtohet nga Bin Ladeni dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë egjiptian, por Al-Kaida më e shpërndarë, më globale, që më shumë se një organizatë, është një lëvizje. Mendoj se këtu duhen kërkuar personat që e planifikuan këtë komplot, jo vetëm ata që do ta zbatonin në praktikë. Pse ekziston ende kjo urrejtje e madhe për SHBA-në dhe Britaninë? Arsyet kryesore janë dy, mendoj unë:Tradicionalisht këto grupe kanë folur për dy palë armiqsh; armikun e afërt dhe atë të largët. Të afërmit janë qeveritë e Egjiptit, të Arabisë Saudite, vendeve të origjinës së vetë aktivistëve islamistë, që ata i konsiderojnë qeveri armike, aleate të perëndimit etj, etj. Bin Ladeni e zhvendosi fokusin tek Shtete e Bashkuara, tek armiku i largët, me argumentimin se nëse godet, madje dhe madje nëse e shkatërron Amerikën (dhe Bin Ladeni beson tek kjo e fundit), atëherë të gjithë këto qeveritë e vogla të vendeve myslimane do të binin, sepse aleati i tyre do të ishte mundur... Kjo është arsyeja e parë... Por arsyeja e re, ka të bëjë me Irakun dhe Afganistanin dhe tani me krizën në Liban. Dhe Britania shihet si aleatja e palëkundur e administratës amerikane. Kjo do të thotë se Britania dhe ndoshta dhe disa vende evropiane, janë ngjitur nga kreu i listës së objektivave që duhen goditur. Kjo e ka vënë në pozitë të parehatshme qeverinë e Blerit këtu në Britani dhe deri në një farë shkallë, ajo përpiqet ta hedhë poshtë një gjë të tillë. Por ekspertët nuk e vënë në dyshim. Sigurisht, ky problem ka ekzistuar dhe para ndërhyrjes në Irak, por është fakt që Britania vetë nuk ishte sulmuar deri tani së fundmi. Q: Persona të arrestuar në lidhje me komplotin e fundit janë myslimanë të lindur në Britani. Dhe autorët e sulmeve të 7 korrikut vjet në Londër ishin po ashtu, myslimanë të lindur këtu. Çfarë mund t'i shtyjë këta persona të kryejnë sulme mbi bashkështetasit e tyre? BBC: Mendoj se kjo është ende enigmatike, është enigmë e dhimbshme për shumë njerëz këtu në Britani, por përgjigjja më e përafrët që mund të japim, është në të njëjtën kohë është dhe mësimi që kemi marrë nga sulmet e 7 korrikut. Katër të rinjtë që kryen ato sulme, nuk ishin dështakë, nuk ishin të pasuksesshëm, të margjinalizuar nga shoqëria, nuk vuanin nga varfëria me të cilat ndonjëherë lidhet komuniteti mysliman...Ata djem nuk i përkisnin këtij stereotipimi. Për këtë arsye, shpjegimi i vetëm që na mbetet është ai që dha vetë udhëheqësi i grupit në një video që u transmetua pas sulmeve të 7 korrikut.., ku në vija të trasha ai thotë: 'ju keni vrarë njerëzit e mi' duke nënkuptuar myslimanët, 'tani ne, myslimanët, do të vrasim njerëzit tuaj' dmth britanikët. Dhe, edhe pse ai nuk e përdor fjalën Irak, është e dukshme se ai do të thotë 'ju po vrisni njerëzit e mi në Irak', ndoshta dhe në Afganistan. Unë mendoj se përgjigja qëndron kryesisht në politikën e jashtme, kryesisht, por jo ekskluzivisht vetëm në politikën e jashtme të SHBA-së dhe Britanisë. Dhe nëse kjo është e vërtetë, ajo që po ndodh tani mes Izraelit dhe Libanit, në këtë shpërthim të ri të dhunës në Lindjen e Mesme, fatkeqësisht mund të bëhet një faktor i ri kontribues (për sulme të kësaj natyre). | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||