|
El Baradei paraqet raportin për Iranin | |||||||||||||||||||||||
Drejtori i Agjensisë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Mohamed el Baradei, do të nxjerrë të premten një raport për Iranin. Në këtë raport ai analizon nëse Irani i është përmbajtur afatit të Këshillit të Sigurimit për të pezulluar programin e pasurimit të uraniumit. Ka pak gjasa që raporti të jetë pozitiv po të merren parasysh deklaratat e fundit të udhëheqësve iranianë. Të entjen presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, tha se vendi i tij do të vazhdonte me këtë program pavarësisht nga presioni nga jashtë. Zyrtarisht diplomatët në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork thonë se do të lexojnë raportin e Mohamed el-Baredeit përpara se të veprojnë. Por pasi Irani deklaroi se po shpërfill vendimin e Kombeve të Bashkuara dhe po bën pasurim të uraniumit në shkallë të ulët, Këshilli i Sigurimit ka filluar diskutime jozyrtare për hapat që duhet të hedhë. Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara janë në favor të një rezolute të re në përputhje me Kapitullin VII të Traktatit të Kombeve të Bashkuara. Ajo e bën thirrjen e mëparshme që Irani të pezullojë pasurimin e uranimit ligjërisht të detyrueshme. Mirëpo Rusia dhe Kina nuk i pëlqejnë rezolutat e Kapitullit VII, sepse ato i hapin rrugë sanksioneve apo ndërhyrjes ushtarake. Për të marrë votën e këtyre dy vendeve apo për t'i bindur ato që, të paktën, të abstenojnë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë duhet t'i sigurojnë ato se kjo rezolutë nuk do të çojë në një pushtim tjetër. Ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara ka thënë se Teherani nuk do ta zbatojë një rezolutë të re që mund të miratojë Këshilli i Sigurimit sepse programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.
Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, ka thënë se besueshmëria e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të vihet në provë me mënyrën se si do të trajtohet programi bërthamor i Iranit. "Këshilli i Sigurimit, sigurisht, duhet të veprojë në mënyrë që të jetë i besueshëm. Ai është indistutioni më i rëndësishëm për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë dhe nuk mund të lejojë që fjala dhe vullneti i tij të shpërfillet nga një vend anëtar" tha zonja Rice. Ajo e bëri këtë koment gjatë një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në Sofie të Bullgarisë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||