|
Diplomatët nuk bien dakort për sanksionet | |||||||||||||||||||||||
Diplomatët nga Gjermania dhe pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit nuk kanë rënë dot dakord për të vendosur sanksione mbi Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor pas një takimi të zhvilluar të martën në Moskë. Një diplomat i lartë amerikan tha se pjesëmarrësit kishin rënë dakord për një kundërpërgjigje të shpejtë të komunitetit ndërkombëtar ndaj teheranit, por jo për formën e saj. Javën e shkuar Irani njoftoi se kishte pasuruar uranium, sipas standarteve industriale, për ta përdorur për prodhimine energjisë, por Uashingtoni dyshon se Teherani kërkon të prodhojë armë bërthamore. Negociata të vështira Në prag të takimit të së martës, Rusia tha se do të këmbëngulte në gjetjen e zgjidhje diplomatike për krizën rreth programit bërthamor të Iranit. Një zëdhënës për ministrinë e jashtme ruse tha se bisedimet, ku morën pjesë anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania, do të riafirmonin qëndrimin e Rusisë për të ndjekur vetëm strategjinë e negociatave. Njoftimi i Teheranit javën e kaluar se kishte pasuruar uranium u pasua nga njoftimet në Uashington se Amerika mund të jetë duke planifikuar veprime ushtarake kundër vendit për të mos e lejuar që të prodhojë armë bërthamore. Por autoritetet e Teheranit kanë deklaruar se ka kaluar koha e kërcënimeve dhe kanë bërë thirrje për negociata. Opsione Por presidenti amerikan Bush tha dje se të gjitha opsionet janë të hedhura në tavolinë për ta penguar Iranin që të prodhojë armë bërthamore. Z.Bush iu përgjigj një pyetje gjatë një konference shtypi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë lidhur me planet për një goditje bërthamore. Ndërkohë më herët, presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, në festën e Ditës së Ushtrisë ka paralajmëruar se Irani, sipas fjalëve të tij, do t'i priste duart çdo agresori. Presidenti Ahmedinexhad, i ka kërkuar ushtrisë të ishte vigjilente. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||