|
Kriza bërthamore diskutohet në Moskë | |||||||||||||||||||||||
Rusia thotë se do të këmbëngulë në gjetjen e zgjidhje diplomatike për krizën rreth programit bërthamor të Iranit gjatë një takimi ndërkombëtar që po organizon të martën në Moskë. Një zëdhënës për ministrinë e jashtme ruse tha se bisedimet, ku do të marrin pjesë anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania, do të riafirmojnë qëndrimin e Rusisë për të ndjekur vetëm strategjinë e negociatave. Njoftimi i Teheranit javën e kaluar se kishte pasuruar uranium u pasua nga njoftimet në Uashington se Amerika mund të jetë duke planifikuar veprime ushtarake kundër vendit për të mos e lejuar që të prodhojë armë bërthamore. Por autoritetet e Teheranit kanë deklaruar se ka kaluar koha e kërcënimeve dhe kanë bërë thirrje për negociata. Negociata të vështira Edhe një herë, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania po takohen në përpjekje që të arrijnë një marrëveshje rreth kundërpërgjigjes së tyre ndaj qendrimit shpërfillës të Iranit në lidhje me programin bërthamor. Kjo mund të provojë të jetë një detyrë jo e lehtë, po të kihen parasysh qendrimet e tyre shumë të ndryshme. Gjatë ditëve të fundit, Kina dhe Rusia, që kanë lidhje të rëndësishme tregtare me Teheranin, kanë vazhduar të theksojnë nevojën që ekziston për të gjetur zgjidhje diplomatike. Por Uashingtoni ka folur për nevojën për ndërmarrjen e hapave për ta detyruar Iranin që ta ndryshojë politikën e tij bërthamore. Aktivitet diplomatik Para takimit të Moskës ka patur aktivitet të ngjeshur diplomatik. Një i dërguar i posaçëm kinez vizitoi Teheranin javën e kaluar para se të udhëtonte drejt Moskës për bisedime me zyrtarë rusë. Mohammed El Baradei, kreu i agjensisë bërthamore të OKB-së, po ashtu vizitoi Iranin javën e shkuar, por nuk arriti që ta bindte qeverinë e atjeshme që të pezullonte aktivitetet e lidhura me uraniumin. Teherani thekson se ka të drejtë të pasorojë uranium në bazë të Marrëveshjes për Mospërhapjen Bërthamore. Zyrtarë iranianë i kanë hedhur poshtë thirrjet e OKB-së si të parëndësishme dhe thonë se me programin bërthamor të Iranit duhet të merret vetëm agjensia bërthamore e OKB-së. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||