BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 14 prill 2006 - 07:39 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Amerika paralajmëron sërish Iranin
El-Baradei dhe zyrtarë të lartë iranianë
Kreu i agjensisë atomike ndodhet në Teheran
Sekretarja amerikane e shtetit, Condoneezza Rice, e ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja nëse vazhdon ta shpërfillë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me programin e tij të pasurimit të uraniumit.

Komentet e zonjës Rice pasuan njoftimin e bërë nga autoritetet iraniane ditën e martë se Irani kishte arritur të pasuronte uranium në shkallë të ulët.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe uraniumi i pasuruar do të përdoret për të prodhuar energji.

Shefi i agjensisë bërthamore të OKB-së, Mohamed el Baradei, që po viziton Iranin, tha se kishte ende kohë për të arritur një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor.

Sipas Dr. Baradeit, palët kanë rënë dakord për një dialog intensiv.

Veprime

Condoleezza Rice duket se po ecën më larg në rrugën drejt sanksioneve nga ç'janë të gatshëm homologët e saj rusë dhe kinezë.

Të dy këto vende, që kanë fuqinë e vetos, besojnë se deklaratat për ndëshkim janë të parakohshme.

Por sekretarja amerikane e shtetit, në një takim me ministrin e jashtëm të Kanadasë, iu referua pushtetit që ka OKB-ja për t'i detyruar vendet anëtare që t'i përmbahen vullnetit të sistemit ndërkombëtar.

"Unë jam e sigurt", tha ajo, "se ne do t'i shqyrtojmë masat që mund të merren për t'u siguruar se Irani nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, por të përmbushë detyrimet".

Korrespondenti i BBC-së në uashington thotë se një takim i Këshillit të Sigurimit, i cili nuk do të merrte asnjë vendim, por që do të lëshonte vetëm një paraljamërim dhe nuk do të premtonte veprime të mëtejshme, do të konsiderohej si i papranueshëm nga Amerika.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>