|
Amerika e gatshme të bisedojë me Iranin për Irakun | |||||||||||||||||||||||
Shtetet e Bashkuara thonë se kanë autorizuar ambasadorin amerikan në Bagdad për të zhvilluar bisedime me zyrtarë iranianë për situatën në Irak. Kjo i hap rrugë takimit të parë të drejtpërdrejtë në publik mes dy vendeve që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McLellan tha se ambasadori Zalmay Khalilzad, ishte autorizuar të merrte pjesë në negociata me një mandat shumë të kufizuar. Ai tha se bisedimet nuk do të kishin lidhje me çështjet bërthamore apo mosmarrëveshjet e tjera. Më parë, zyrtari më i lartë iranian për çështjet e sigurisë, Ali Larixhani, tha se Teherani i kishte hedhur poshtë kërkesat e mëparshme të Shteteve të Bashkuara për bisedime për Irakun. Ai tha se tani Irani kishte vendosur të merrte pjesë në bisedime pas kërkesës së udhëheqësit shiit, Abdel Aziz Hakim. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar vazhdimisht Teheranin se po mbështet militantët në Irak. Doktor Larixhani nuk dha hollësi se kur do të zhvilloheshin bisedimet dhe në ç'nivel do të përfaqësoheshin palët. Në të kaluarën ka pasur negociata prapa skene mes amerikanëve dhe iranianëve për Afganistanin. Nëse këto bisedime të dretpërdrejta në publik zhvillohen, ato do të jenë të parat që prej negociatave për zgjidhjen e krizës së pengjeve pas Revolucionit Islamik në Iran. Një këshilltar i presidentit iranian tha se kjo shënonte një fitore të madhe për Iranin dhe tregonte se superfuqitë nuk mund ta injoronin rëndësinë që Irani kishte në rajon. Ai tha se megjithëse asnjëri prej negociatorëve për çështjet bërthamore të Iranit nuk do të merrte pjesë në dialogun për Irakun, ky ishte një rast që mund të shfrytëzohej për të zgjidhur probleme të tjera. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||