|
Rugova si shkëmbi në stuhi | |||||||||||||||||||||||
Ish kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner thotë se cilësia e Presidentit Ibrahim Rugova që do të mbahet më shumë mend ishte gjakftohtësia e tij. "Ai ishte si një shkëmb në kohë stuhie në Kosovë," i tha ai BBC-së. Zoti Kouchner, aktualisht profesor nga ana tjetër beson se magnetizmi i Rugovës do të përcillet nga gjenerata e afërt. Ai fillimisht i përgjigjet pyetjes se kur e kishte takuar për herë të parë zotin Rugova. Kouchner: Hera e parë që e takova zotin Rugova ishte viti 1992, isha ministër në qeverinë e presidentit Miterand. Ishte e vështirë asokohe, sepse Beogradi nuk e lejoi këtë vizitë edhe u përpoq që të na kërcënonte. Unë vizitova Kosovën dhe takova për herë të parë mikun tim Ibrahim Rugovën. Ai ishte kreu i një lëvizjeje fantastike pacifiste, që protestonte ndaj aparteidit dhe Millosheviçit që e kishte vendosur këtë aparteid. Ishte një rezistencë fantastike. Ishte hera e parë që kaluam disa ditë sëbashku. Që prej asaj kohe ne u takuam disa herë. Më pas unë mora detyrën e kreut të UNMIK-ut për dy vjet dhe pata krenarinë dhe nderin ta takoj përditë mikun tim Ibrahim Rugova. BBC: A besuat që në takimin e parë se zoti Rugova do të ishte personaliteti që do ta drejtonte Kosovën deri në këtë ditë? Kouchner: Po, por jo vetëm se unë isha i sigurt, por sepse ai që atë kohë e kishte treguar veten si njeriu më i vendosur, i motivuar dhe i mençur dhe aktivisti më i mirë në Kosovë. Dhe në mënyrën e vet ai i shfaqi këto cilësi duke ruajtur distancën, me shumë qetësi dhe me këmbëngulje. Ai e urrente luftën, i urrente armët dhe dukej si figura e Kosovës. Që në atë kohë ai dukej si babai i Kosovës. BBC - Në vitin 1999 ju morët detyrën e kreut të UNMIKut dhe siç e thatë patët privilegjin të punonit përditë me zotin Rugova, cili ishte tipari më i veçantë i karakterit të zotit Rugova? Kouchner: Aftësia për të ruajtur gjakftohtësinë në momente krize. Dhe çdo ditë kishte nga një stuhi në Kosovë. Përditë ai ishte në një farë mënyre shkëmbi në kohë stuhish. Gjenerata e re ishte kundër tij në Kosovë, sepse ata ishin luftëtarët e lirisë, por Rugova këmbëngulte në mjetet paqësore. Për Rugovën ishte gjithnjë e mundur që të debatohej, dhe me të gjithë, përfshirë edhe armiqtë e tij. Dhe ishte gjithnjë më e thjeshtë të debatohej me zotin Ibrahim Rugova dhe ta bindje atë në emër të UNMIK-ut që unë drejtoja që të ecte në rrugën e paqes dhe në mënyrë të veçantë për të mbrojtur pakicat në Kosovë. Ne nuk arritëm sukses në këtë drejtim. Megjithatë Rugopva ishte një aleat i vërtetë për të siguruar mbrojtje për këta njerëz. BBC: A ka qënë ndonjëherë e vështirë të punoje me zotin Rugova? Kouchner: Patjetër, që ishte e vështirë, sepse edhe pse ishte një pacifist i vërtetë, ai ishte në favor 100 për qind të pavarësisë për Kosovën. Dhe për ne, dhe mua që më duhej zbatimi i rezolutës 1244, ishte e vështirë të ishim në favor të pavarësisë. Luftëtarët e lirisë ishin gjithashtu për të. Për ne ishte shumë e vështirë që ta bindnim zotin Rugova në shumë raste. BBC: A mund të na tregoni ndonje episod që e ilustron këtë që thatë? Kouchner: Më kujtohet një mbrëmje shumë e vështirë në shtëpinë time. Ishim ne të tre; Hashim Thaçi lideri i UÇK-së, zoti Rugova dhe unë. Unë doja t'i bindja ata që të bëheshin që të dy anëtarë të ashtuquajturit organi qeverisës i përkohshëm që iniciohej nga UNMIK-u. Sepse atë kohë kshim tre qeveri dhe UNMIK-un. Pra na duhej të drejtonim një organ të vetëm. Pas orëve të tëra debatesh, Ibrahim Rugova pranoi dhe më pas edhe zoti Thaçi. Trurojet e tyre ishin jashtë shtëpisë sime dhe po grindeshin me njëri-tjetrin në kopësht dhe në rrugë. Ajo natë ishte shumë e vështirë, por qe një moment vendimtar. BBC: Zoti Kouchner ajo natë qe vendimtare, sikurse edhe prania e zotit Rugova në atë bisede, por çdo do të thotë mungesa e tij në lidershipin kosovar dhe në vetë jetën politike të Kosovës? Kouchner: Unë besoj se ka lënë një dhembje të madhe. Por unë kam bindjen se nëse ai ka qënë një person magnetik, nëse ai ka qënë brilant dhe karizmatik (dhe kjo ka ardhur prej personalitetit te tij mjaft te vendosur) jam i bindur se kjo do te percillet tek gjenerata e ardhshme. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||