|
Delegacionet e para mbërrijnë në Prishtinë | |||||||||||||||||||||||
Delegacione shtetërore nga të gjitha anët e botës kanë filluar të mbërrijnë në Prishtinë për të marrë pjesë në varrimin e presidentit, Ibrahim Rugova. Z. Rugova do të varroset të enjten në varrezat e dëshmorëve, disa qindra metra larg shtëpisë së tij. Në mesin e burrave të shtetit që bënë homazhe të mërkurën para arkivolit të presidentit Rugova ka qenë edhe presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu e kryeministri Sali Berisha. Në delegacionin e zgjeruar prej 30 anëtarësh nga Tirana marrin pjesë ministra dhe zyrtarë të opozitës me në krye Edi Ramën. Të martën ndërkaq në Prishtinë ka arritur edhe ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano. Vizita të ndërkombëtarëve
Në Prishtinë kanë arritur dhe zyrtarë ndërkombëtarë që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Mes tyre është edhe shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana. Z. Solana do të ketë takime me drejtuesit e institucioneve të Kosovës. Pritet që zoti Solana të nxisë udhëheqjen e Kosovës për të ruajtur unitetin dhe për të vazhduar dinamikën e procesit të zgjidhjes së statusit. Nga ana tjetër, ish-kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner që ka mbërritur në Prishtinë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të punojnë në drejtim të vizionit të kryetarit të ndjerë, Ibrahim Rugova. “Ai i ka kushtuar gjithë jetën ndërtimit të një Kosove demokratike, paqësore dhe prosperuese”, tha diplomati gjerman, Steiner, i cili bashkëpunoi ngushtë me presidentin Rugova gjatë një vit të qëndrimit të tij në krye të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Michael Steiner shfaqi bindjen se vdekja e presidentit Rugova nuk do ta pengojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës Takime Delegacioni nga Tirana pas bërjes së homazheve, ka zhvilluar takime me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci dhe kryeministrin Bajram Kosumi. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu e cilësoi humbjen e homologut të tij kosovar, Ibrahim Rugova si goditje të madhe jo vetëm për Kosovës, por gjithë popullin shqiptar. “Ai ka qenë njeriu që diti ta ndërkombëtarizojë problemin e Kosovës, diti t’i dalë zot aspiratave të popullit të tij dhe sigurisht që unë mendoj se ëndrra e tij për ta parë Kosovën të pavarur do të jetësohet”, tha presidenti Mojsiu. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha e quajti presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova misionar të madh të paqës, të lirisë dhe të pavarësisë. Ai shfaqi bindjen se udhëheqja e Kosovës do të jenë në gjendje të realizojë idealet për cilat punoi presidenti Rugova, përkatësisht për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. “Udhëheqja politike e Kosovës ka të gjithë mençurinë, përkushtimin, vendosmërinë për t’i konkretizuar idealet e presidentit së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në frymën e kultivuar nga presidenti Rugova, të një Kosove demokratike, të një Kosove faktor paqe e stabiliteti, të një vendi të lirë, të pavarur ku të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina etnike jetojnë të lirë si qytetarë të barabartë para ligjit”, u shpreh kryeministri Berisha. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||