BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 22 janar 2006 - 09:25 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pesë ditë zie në Kosovë
Ibrahim Rugova
Presidenti u nda nga jeta pas luftës me sëmundjen
Në Kosovë janë shpallur pesë ditë zie kombëtare për të nderuar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

Zoti Rugova u nda nga jeta ditën e shtunë, pas një beteje disa mujore me kancerin në mushkëri.

Autoritetet në Prishtinë thonë se varrimi i tij do të mbahet të enjten, në 26 janar.

Ndërkohë, qytetarë të shumtë vazhdojnë t'i bëjnë nderime në Prishtinë presidentit të tyre të ndjerë.

Të dielën është mbajtur një mbledhje përkujtimore për zotin Rugova nga institucionet e Kosovës.

Korrespondentët tanë thonë se vdekja e zotit Rugova ka ngjallur trishtim në gjithë Kosovën.

Flamujt shqiptarë janë ulur në gjysëmshtizë.

Ndërkohë, kanë filluar të mbërrijnë mijëra telegrame ngushëllimi nga e gjithë bota.

Luftë me sëmundjen

Zoti Rugova u nda nga jeta të shtunën në mesditë.

"Presidenti Rugova vdiq në shtëpinë e tij në Prishtinë, i rrethuar nga pjesëtarë të afërm të familjes, miq dhe mjekët amerikanë," shkruhet në një deklaratë të presidencës së Kosovës.

Zoti Rugova 61 vjeç, u zbulua se vuante nga kanceri në mushkëri në shtator të vitit të kaluar, kur u dërgua për kontroll mjekësor në një spital ushtarak në Gjermani.

Kohët e fundit ai iu nënshtrua kimioterapisë në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Ai vazhdoi të ushtronte funksionin e presidentit të Kosovës dhe të kreut të grupit negociator të Kosovës deri në ditën e vdekjes së tij.

Zoti Rugova u zgjodh para katër vjetësh si presidenti i parë i Kosovës.

Me profesion profesor letërsie, Ibrahim Rugova u bë personalitet i njohur në vitin 1989 si Kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë fokusi i opozitës ndaj autoriteteve serbe.

Fushata e rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit të Beogradit, që ai drejtoi në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i dha atij emër në komunitetin ndërkombëtar.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>