|
Ibrahim Rugova - një jetë e tërë | |||||||||||||||||||||||
Ibrahim Rugova ka lindur në fshatin Cërcë të Istogut, Burimit në Kosovën përendimore, më 2 dhjetor të vitit 1944. Ka qenë djali i një tregtari të vogël, i cili është ekzekutuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botëore nga komunistët jugosllavë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në vendlindje, ndërkaq studimet në Prishtinë, në Beograd dhe në Paris. Ka studiuar linguistikën në Univeristetin e Sorbonës dhe më pas ka punuar si studiues dhe kritik i letërsisë në Prishtinë, për një kohë të gjatë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitet tetëdhjetë-nëntëdhjetë ka qënë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe qysh atëherë është shquar me një aktivitet të ngjeshur në mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Në fakt qysh atëherë ishte shndërruar në disident politik. Në politikë është futur me 1989 duke qenë njëri prej pak intelektualëve që e krijuan partinë e parë politike, jashtë skemës së atëhershme të organizimit politik. Në dhjetor të vitit 1989 u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe kryetar i saj i parë u zgjodh Ibrahim Rugova. Ai shumë shpejt, që në vitin 1990, e krijoj imazhin e një politikani modern, duke propaguar shëputjen e Kosovës nga Serbia fillimisht, e më pas edhe nga Jugosllavia e atëhershme. Ibrahim Rugova, duke qenë kryetari i parë i një partie politike në sistemin pluralist u bë opozitari më i madh i regjimit të Beogradit që drejtohej nga Sllobodan Millosheviqi. Rugova ishte bërë politikani i parë që mendonte se të drejtat e popullit të Kosovës mund të realizoheshin me rrugë paqësore dhe pa dhunë. Ai dhe partia e tij, arritën që në vitin 1991, të mbanin një referendum për Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran, mirëpo rezultatet e këtij referendumi, qenë shpallur të jashtëligjshme nga Beogradi dhe udhëheqja e atëhershme jugosllave. Një vit më par, më saktësisht në shtator të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të shpërndarë të Kosovës, kishin miratuar një kushtetutë me të cilën Kosova shpallej republikë e pavarur e federatës-konfederatës jugosllave, mirëpo edhe ky vendim qe shpallur i jashtëligjshëm. Mirëpo, pavarësisht prej kësaj, në vitin 1992, Rugova në mënyrë të njëanshme kishte organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, ku ai u zgjodh president i Kosovës. "Ne jemi për një Kosovë të pavarur, njësoj të hapur si ndaj Serbisë ashtu dhe Shqipërisë",- ishte ky prononcimi i tij më i shpeshtë nëpër konferencat e përjavshme të shtypit. Me këta hapa të tij, Rugova u bë udhëheqës i pakontestueshëm i shqiptarëve të Kosovës. Ai pas këtyre zgjedhjeve arriti të krijojë edhe qeverinë e Kosovës në ekzil dhe të organizojë një strukturë paralele në Kosovë, duke filluar nga administrata, arsimi e deri te shëndetësia. Gjatë kësaj kohe provoi të bëj disa hapa bashkëpunimi me regjimin e Millosheviqit, fillimisht për zhbllokimin e objekteve shkollore, por pa sukses. Duke qenë lideri i vetëm politik në Kosovë, Rugova u bë partner politik i shumë shteteve përendimore dhe fitoi simpatinë e tyre. Viti 1997 dhe fillimi i konflikteve të para të armatosura ndërmjet guerilës shqiptare dhe forcave serbe në Kosovë, e gjetën Rugovën në postin e kryetarit të LDK-së dhe në postin fiktiv të presidentit të shtetit. Ai mbetet lider i krahut të moderuar ose paqësor politik të Kosovës. Duke qenë prijës i këtij krahu, ai mori pjesë në konferencën e Rambouillet dhe të Parisit, por jo si kryetar i delegacionit. Krahu i luftës rezulton të jetë më i autoritetshëm dhe ai vëhet në krye të veprimtarisë luftarake e politike të kohës. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në mars të vitit 1999, Rugova mbetet i ngujuar në shtëpinë e tij në Prishtinë. Ai gjatë kësaj kohe detyrohet të takohet dy herë me Millosheviqin në Beograd dhe të kërkojë edhe ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s. Ai dhe familja e tij, arrinë të largohen nga kosova dhe të strehohen në Itali, vetëm pas ndërhyrjes së komunitetit fetar Shan Exhidio, i cili mbante raporte miqësore me Millosheviqin. Në Kosovë Rugova kthehet menjëherë pas luftës. Me një autoritet të luhatur, ai arrin që të rikthehet në skenën politike dhe i fiton zgjedhjet e para të pasluftës, dhe më 2002 bëhet kryetar i Kosoves i njohur ndërkombëtarisht. Rugova e krijoi edhe qeverinë e parë me partinë e udhëheqësit politik të ish-UÇK-së, Hashim Thaçi. Presidenti Rugova dhe LDK-ja, arrijnë që të fitojnë edhe zgjedhjet e dyta të përgjithshme dhe Rugova në vitin 2004 rizgjedhet president edhe për katër vite të tjera. Ai arrin të jetë edhe dëshmitar kundër armikut të tij të vjetër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. Gjatë kësaj kohe të presidencës së tij, ka patur edhe një tentim vrasje ndaj tij: në korrik të vitit 2005 shpërtheu një bombë në afërsi të makinës së tij, mirëpo ai shpëtoi i palënduar. Pak muaj më parë, Ibrahim Rugova krijoj edhe grupin negociator për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe ai u vu në krye të këtij grupi. Në fund-gushtin e vitit 2005 mjekët zbuluan se presidenti Rugova vuante nga kanceri në mushkëri. Ai vdiq të shtunën në moshën 61 vjeçare në ora 11.38 minuta në rezidencën e tij në Prishtinë në praninë e familjes dhe mjekut personal. Është baba i tre fëmijëve, dy djemëve dhe një vajze. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||