|
Shqetësim pas vendimit rus për gazin | |||||||||||||||||||||||
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim për vendimin e Rusisë për të ndërprerë furnizimin me gaz të Ukrainës pas një mosmarrëveshje lidhur me çmimet. Departamenti amerikan i Shtetit tha se veprimet e Moskës po krijonin pasiguri në sektorin energjetik në rajon dhe ngrinin dyshime se energjia po përdorej si mjet për të ushtruar presion politik. Duke folur në Uashington, zëdhënësi i departamentit, Sean McCormack tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesnin dëshirën e Rusisë për të kërkuar çmimin e plotë të tregut për gazin e saj, por shtoi se Moska ishte ngutur me ndërprerjen e furnizimit me gaz për Ukrainën. Ai tha se çmimet më të larta duhet të ishin vendosur gradualisht. Z. McCormack tha se Rusia dhe Ukraina kishin interesa të përbashkëta për të mbrojtur reputacionet e tyre në skenën ndërkombëtare dhe tha se Uashingtoni mbeste me shpresë se dy vendet do të gjenin një zgjidhje që do të ofronte siguri në sektorin energjetik në rajon. 'Luftë për pavarësi' Ukraina këmbëngul se është ndëshkuar për përpjekjet për t'u bërë më e pavarur nga Moska dhe për të forcuar lidhjet me perëndimin. Presidenti i Ukrainës, Viktor Yushchenko, e ka përshkruar mosmarrëveshjen me Rusinë në fushën e energjisë si luftë për pavarësinë e vendit. Z. Yushchenko tha se ishte e qartë se Rusia po e përdorte këtë çështje për të ushtruar presion ekonomik mbi qeverinë e tij, e cila kërkon lidhje më të ngushta të Ukrainës me BE-në dhe NATO-n. Presidenti Yushchenko tha se kjo ishte një betejë e vërtetë për pavarësinë e Ukrainës, e cila do të ishte më e ashpër nga gjithshka ndodhi gjatë Revolucionit Portokalli. Duke folur në një takim për furnizimin me gaz të vendit, ai tha se çmimi që kërkonte Moska ishte i papranueshëm dhe shenjë e presionit që po ushtron Rusia mbi Ukrainën. Shumë ukrainas janë të zemëruar me Rusinë dhe besojnë se Moska po luan një lojë të rrezikshme. Autoritetet thonë se banorët nuk do të preken, pasi vendi ka rezerva të mjaftueshme gazi, por janë bizneset ato që mund të goditen më rëndë. Ka pretendime se Ukraina tani po vjedh gazin e destinuar për në Evropë, por këto pretendime janë hedhur poshtë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||