BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 02 dhjetor 2005 - 17:08 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
OSBE kritikon ashpër gjyqësorin
Policë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjatë trazirave të marsit
'Përgjigjja e drejtësisë ishte e dobët dhe joadekuate'
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kritikuar gjyqësorin e Kosovës për dështim në shqyrtimin e veprave penale të lidhura me trazirat e marsit të vitit të kaluar.

"Përgjigja e drejtësisë kosovare ndaj trazirave të marsit të vitit 2004, ishte e dobët dhe joadekuate," ka vlerësuar Departamenti për Drejtësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, në një raport të tij të publikuar të premten në Prishtinë.

"Sistemi i drejtësisë ka dështuar që të përçojë një porosi të qartë për popullatën, duke dënuar këtë lloj të dhunës", tha duke prezantuar raportin, shefi i misionit të OSBE-së, Werner Wnendt.

Ai ka pohuar se nuk është dhënë një përgjigje dhe porosi e qartë për popullatën për dënimin e llojit të dhunës që është përdorur gjatë trazirave, duke mos e përmbushur kështu funksionin parandalues që e ka sistemi i drejtësisë.

Probleme

Në raportin e OSBE-së për drejtësinë kosovare, thuhet se janë vërejtur një numër problemesh që kanë të bëjnë me hetimet e krimeve.

Sipas këtij misioni, ka patur probleme në mbledhjen e dëshmive, për shkak të një numri faktorësh përfshirë edhe atë të frikësimit të dëshmitarëve ose të mosdëshirës së dëshmitarëve për të dëshmuar para gjykatës.

Sipas OSBE-së, kjo vjen edhe nga bashkëpunimi i dobët ndërmjet policisë dhe prokurorisë.

Por kritika të shumta i adresohen në veçanti gjykatave dhe mënyrës se si i kanë trajtuar ato rastet.

Në njërin kapitull të raportit flitet kryesisht për ngritjen e akuzave joadekuate, me të cilat janë akuzuar personat të ndryshëm dhe që nuk kanë ndonjë lidhje me rastet.

Dënime 'të buta'

raporti arrin në përfundimin se ka patur edhe marrëveshje ndërmjet gjykatës, avokatëve mbrojtës dhe prokurorisë pa ndonjë bazë ligjore.

"Këto praktika kanë rezultuar me dënime të buta për të akuzuarit".

Sipas raportit janë mbi 400 persona që janë akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me trazirat, prej të cilëve 209 janë dënuar kurse 12 janë liruar.

Raporti i OSBE-së për trazirat e marsit, i hartuar një vit e gjysmë pas tyre, është raporti më kritik deri tani për gjyqësorin në Kosovë.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë kompleks dhe ai është i përzier.

Në shumë raste, sidomos në ato që kanë të bëjnë me dhunën ndëretnike, gjykatës dhe prokurorë janë të huajt.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>