|
Kryqi Kuq kërkon vizita te të burgosurit për terrorizëm | |||||||||||||||||||||||
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se përfaqësuesit e tij duhet të lejohen të takojnë të gjithë shtetasit e huaj që mbahen të burgosur nga amerikanët me dyshimin se janë terroristë. Zëdhënësja e kësaj organizate, Antonella Notari, tha se Kryqi i Kuq ishte i shqetësuar për fatin e një numri të panjohur shtetasisht të huaj që mbahen në burgje të fshehtë, në kuadrin e fushatës kundër terrorit të ndërmarrë nga administrata e presidentit Bush. Komentet e saj pasojnë një shkrim në gazetën Uashington Post, i cili e akuzonte CIA-n se kishte ngritur burgje të fshehta në tetë vende mike me Shtetet e Bashkuara. Sipas kësaj gazete, të paktën një burg i tillë ishte në Evropën Lindore. Administrata amerikane nuk ka pranuar të bëjë ndonjë koment. Polonia, Rumania dhe Tailanda kanë hedhur poshtë akuzat se kanë burgje të fshehta. Ndersa Republika Çeke tha se nuk kishte pranuar një ofertë amerikane për ngritjen e një burgu të fshehtë. Komisioni Evropian thotë se do të ndërmarrë një hetim për këtë çështje. Kryqi i Kuq ka besuar prej kohësh se Shtetet e Bashkuara mbajnë persona të dyshuar për terrorizëm në vende të fshehta, por nuk ka se si të dijë me saktësi numrin apo vendndodhjen e tyre. Ka patur zëra se disa të dyshuar të rëndësishëm janë mbajtur të burgosur në Pakistan apo Egjipt por, pa bashkëpunimin e amerikanëve, asgjë nuk mund të konfirmohet. Megjithatë akuzat për burgjet e fshehta në Evropën Lindore janë të reja. Kryqi i Kuq nuk pranoi të bënte ndonjë koment për shkrimin e botuar në gazetën Uashington Post, ndonëse zëdhënësja e kësaj organizate në Gjenevë tha se Kryqi i Kuq ishte i shqetësuar për fatin e të burgosurve që mbaheshin në vende të fshehta. Ajo tha se Kryqi i Kuq vazhdonte t'i bënte presion Uashingtonit që të lejonte kontakte me të gjithë të burgosurit. Sipas Konventës së Gjenevës, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka mandat të kontrollojë trajtimin e robërve të luftës. Përfaqësues të kësaj organizate kanë bërë vizita të shpeshta në kampin Guantanamo apo në disa burgje të tjera në Afganistan apo Irak. Megjithatë grupe të të drejtave të njeriut thonë se ka dëshmi të forta që tregojnë se amerikanët kanë disa burgje të fshehta. Në fillim të kësaj jave zyrtarët amerikanë iu thanë hetuesve të komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut, se ata nuk do të lejohen të takohen privatisht me të burgosurit në Guantanamo Bay. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||