BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 22 tetor 2005 - 11:27 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Gripi i shpendëve mbërrin në Kroaci
Masa kundër gripit të shpendëve
Shumë vende kanë filluar të marrin masa kundër virusit
Autoritetet evropiane po përgatiten që të ndalojnë importin e shpendëve nga Kroacia, pas zbulimit të virusit të gripit të shpendëve në një grup mjelmash të ngordhura.

Të premten qeveria kroate konfirmoi se në një liqen rreth 200 km në lindje të Zagrebit, ishin gjetur gjashtë mjelma të ngordhura, dhe se testet kishin treguar shenja të virusit të gripit të shpendëve.

Autoritetet zhvilluan një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar se çfarë masash duhen marrë për të përballuar situatën.

Megjithatë ende nuk dihet nëse ky është lloji i virusit që mund të prekë njerëzit me pasoja fatale dhe që, përveç Azisë, është gjetur edhe në Rumani dhe Turqi.

Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, tha se autoritetet po merrnin të gjitha masat parandaluese për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Ai tha se nuk besonte se kishte ndonjë rrezik për jetën e njerëzve.

Informacioni i grumbulluar është dërguar në një laborator në Britani, i cili është bërë i njohur në diagnostikimin e gripit të shpendëve në Evropë.

Ndër vendet e Ballkanit janë bërë teste me shpendë të ngordhur në Maqedoni, Kosovë, Serbi e Mal të Zi, por deri tani vetëm Kroacia është vendi i parë nga ish-republikat jugosllave që del me këtë diagnozë.

Zbulohet gripi i shpendëve edhe në Britani

Britania ka njoftuar rastin e parë të virusit të gripit të shpendëve që prej më shumë se një dekade.

Autoritetet thanë se virusi u gjet në një papagall të ngordhur.

Ai ishte importuar nga Surinami, në Amerikën e Jugut dhe mbahej bashkë me disa zogj të tjerë nga Tajvani.

Qeveria tha se ky rast nuk e ndryshonte statusin e Britanisë si një vend ku kjo sëmundje nuk ka hyrë, sepse papagalli kishte ngordhur në karantinë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>