|
Pritet importimi i energjisë për përmirësimin e situatës | |||||||||||||||||||||||
Drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare, Fatmir Hoxha, ka bërë të ditur për BBC-në se brënda dy ditësh do të fillojë importimi i energjisë elektrike i blerë nga Rumania. Zoti Hoxha thotë se ky importim do të kalojë nëpër rrjetin e transmetimit të Serbisë. Drejtori i KESH-it thotë se ky vit nuk konsiderohet si vit krize. Sipas tij me fillimin e rreshjeve dhe me importin situata energjetike në vend do të përmirësohet. Nazim Rashidi bisedoi me drejtorin e KESH-it, Fatmir Hoxha, i cili në fillim përshkruan situatën energjetike në vend. Zoti Hoxha: Nivelet në liqenin e Fierzës janë nën kuotën që kemi planifikuar në planet e furnizimit për vitin, kjo për arsye se furnizimi me energji elektrike nuk u arrit të mbështetej me energji të importuar për arsyet që dihen, të dështimit të 5 tenderave radhazi të organizuar nga KESH, si rezultat ne u detyruam të vazhdonim furnizimin e vendit vetëm me prodhimin vendas duke aplikuar dhe kufizime për të parandaluar rënien e shpjetë të nivelit të liqenit të Fierzës. BBC: Zoti Hoxha ndërkohë është bërë e ditur që qeveria shqiptare ka blerë 150 megavat energji elektrike. Kur do të fillojë importi? Zoti Hoxha: Ne tani jemi në fazat e fundit të nënshkrimit të kontratës dhe mendojmë që për dy ditë të filloj një sasi e vogël importi nga kompania Bullgare NEK, nëpërmjet rrjetit të transmetimit të Serbisë. Gjatë gjysmës së dytë të muajit tetor do vazhdojë importi i një sasie më të madhe që do vijë gjithashtu nga Bullgaria dhe nga Rumania rreth 150 megavat deri në fund të muajit. Më 1 nëntor deri më 31 dhjetor parashikohet që të hyjë në fuqi kontrata e importit të energjisë që do të dalë nga tenderi i parashikuar më 12 tetor. BBC: Ju thatë pak më herët se kanë dështuar disa tendera, a mendoni se ky tender do të jetë i suksesshëm? Zoti Hoxha: Mendoj që me interesimin që po tregohet nga kompanitë ky tender do të jetë i suksesshëm. BBC: Gjithë këto importime të energjise elektrike a mendon se do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës në Shqipëri, ose a do të kenë shqiptarët një dimër të lehtë dhe me drita? Zoti Hoxha: Natyrisht për vetë konfiguracionin e sistemit tonë elektroenergjitik për fazën aktuale asnjeri nuk mund ta japë me siguri të plotë se si do jetë gjendja e furnizimit me energji elektrike. Megjithatë ne mendojmë që ky është një vit i lagësht dhe së bashku me importin do jetë dhe përmirësimi i furnizimit të energjisë për konsumatorët tanë. Mendojmë që nuk jemi në kushtet e një viti krize dhe mendojmë që situata do të jetë më e mirë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||