|
Europianët të shqetësuar për gripin e shpendëve | |||||||||||||||||||||||
Ekspertë nga fusha e shëndetësisë dhe veterinarisë nga 25 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë takuar të enjten në Bruksel për të koordinuar masat kundër gripit të shpendëve. Ky është takimi i parë i këtij niveli për këtë sëmundje, e cila është përhapur nga Azia Juglindore, në Azinë Qendrore dhe disa rajone të Rusisë. Gripi i shpendëve po i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian. Ende nuk ka pasur ndonjë rast të prekjes së njerëzve në Evropë, por ekziston rreziku që virusi të përhapet. Zyrtarët më të lartë të shëndetësisë dhe veterinarisë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa nga fqinjët e tyre po diskutojnë se si mund t'i koordinojnë masat kundër gripit të shpendëve. Agjensitë e Bashkimit Evropian për kontrollin e ushqimit dhe sëmundjeve do të përfshihen në këto përpjekje. Bashkimi Evropian ka shpallur shtimin e fondeve për financimin e përbashkët të programeve monitoruese në vendet e tij anëtare. Ai po sheh mundësinë e organizimit të një konference për të ofruar fonde për parandalimin dhe kontrollimin e gripit të shpendëve në Azinë Juglindore, ku e kanë origjinën shumica e rasteve me këtë sëmundje. Për momentin, Bashkimi Evropian nuk po rekomandon ndonjë masë, siç mund të ishte mbajtja e shpezëve në ambjente të mbyllura. Holandezët ishin të parët që e vendosën këtë masë, nga e cila tani kanë hequr dorë. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||