|
Informim falas me telefon për zgjedhësit | |||||||||||||||||||||||
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka vënë në dispozicion të qytëtarëve një numër telefoni pa pagesë ku qytetarët mund të informohen më gjerësisht për procesin për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut. Kjo është pjesë e një fushate ndërgjegjësimi për t'i ofruar votuesve informacionin e nevojshëm dhe të saktë për zgjedhjet e 3 korrikut. Qytetarët mund të telefonojnë në numrin 0800 0813 dhe të pyesin për mënyrën e votimit, rregullat gjatë këtij procesi, se si veprohet në rastin kur zgjedhësit nuk i kanë emrat në listat e votimeve, etj. Në sektorin e shërbimit telefonik të KQZ-së ndodhen disa operatore që janë në dispozicion të publikut. "Zakonisht qytetarët, sidomos ata që votojnë për herë të parë, interesohen për mënyrën e procesit të votimit dhe për të verifikuar nëse e kanë emrin në listë. Në numrin 0800 0813 gjatë gjithë kohës marrim telefonata," shprehet një nga operatoret e sektorit. Shefi i sektorit të marrëdhënieve me publikun pranë KQZ-së, Plarent Ruka, shpjegon për BBC-në iniciativën e institucionit më të lartë zgjedhor në Shqipëri për të vendosur një linjë të tillë për qytetarët. Ai thotë se kjo iniciativë është ndërmarrë fillimisht për zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2003. "Të gjithë shtetasit kanë të drejtë të telefonojnë dhe të marrin informacion mbi zgjedhjet, për informacionet që KQZ disponon përsa i përket mënyrës së votimit, rregullave të votimit, për çfarë votohet," thotë zoti Ruka. Ai shton se përsa i përket informacioneve mbi listat e zgjedhësve, këtë gjë KQZ nuk e disponon, pasi është kompetencë e pushtetit lokal. Zoti Ruka gjithashtu thotë se të interesuar kanë qënë edhe të verbërit që këtë vit do të votojnë vetë, të cilët kanë marrë informacionin e duhur. Fushata për ndërgjegjësimin e qytetarëve që t'i drejtohen KQZ-së nëse ata duan të marrin informacione të zgjeruara rreth procesit të votimeve të 3 korrikut, është përhapur kudo. Në kryeqytet në autobuzët që qarkullojnë në linjat e brendëshme, janë ngjitur postera me numrin e telefonit, ku qytetarët mund të telefonojnë. Postera janë ngjitur në çdo vend të dukshëm të qytetit, është vënë në dispozicion një faqe e posaçme Interneti, www.votaime.com si dhe është ndërmarrë një fushatë e gjerë edhe në media. Mundësohet votimi i të verbërve Rreth 8400 qytetarë të verbër me të drejtë vote në të gjithë Shqipërinë, për herë të parë do të kenë mundësinë të votojnë për zgjedhjet parlamentare në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë. Kjo është mundësuar në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes shoqatës të të verbërve, KQZ-së dhe financim të OSBE-së. Menaxheri i projektit nga shoqata e të verbërve, Ermir Kapedani, thotë për BBC-në se kjo shtresë e shoqërisë do të ketë disa shabllonë, disa kuadrate, që korrespondojnë me kuadratet ku vihet shenja për votimin e kandidatëve dhe subjekteve politike. "Do të përgatitet një audio kasetë në mënyrë që të zgjedhësit e verbër të kenë një ide të qartë për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike," thotë zoti Kapedani për BBC-në. Zoti Kapedani, thotë se meqënëse kjo është hera e parë që të verbërit do të votojnë në mënyrë të pavarur në zgjedhjet parlamentare, atëherë nevojitet një trajnim paraprak i tyre, për të cilin shoqata e të verbërve është duke punuar. Zoti Ruka, shefi i sektorit të marrëdhënieve me publikun pranë KQZ-së, thotë se mundësimi i votimit të të verbërve është një detyrim që rrjedh nga ndryshimet në kodin zgjedhor, dhe se është duke u punuar për sigurimin e mjeteve të nevojshme gjatë procesit zgjedhor. Iniciativa e shoqatës së të verbërve për të mundësuar votimin e kësaj shtrese të shoqërisë në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë, është duke u zbatuar, ndërkohë që është duke u punuar për caktimin e hollësive se cili do të jetë formati i fletëve të votimit për të verbërit. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||