BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 27 prill 2005 - 14:44 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bisedime të drejtpërdrejta për energjitikën
Arkiv
Takimi i drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit po mbahet në Beograd
Në Beograd ka filluar takimi i grupeve punuese për energjetikën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësuesin nga Bashkimi Evropian.

Takimi i dy grupeve punuese të udhëhequra nga zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Sabri Limari e Aleksandër Vlajciq, po kryesohet nga një përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, Jolly Dickson, i cili ka qenë në krye të shtyllës së katërt të UNMIK-ut, që prej dy vjetësh.

Misioni i OKB-së në Kosovë, përmes zëdhënëses Marcia Poole, tha se kryeadministratori, Jessen-Petersen e ka inkurajuar këtë dialog ndërmjet të dyja palëve.

"Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm i ka inkurajuar bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që sa i përket vendit ai mund të zhvillohet kudo. Ne presim që të fillojë punën edhe grupi punues për kthimin, diku nga fillii i muajt maj, përveç atij për të zhdukurit dhe energjetikën që ka filluar sot. Ajo që është me rëndësi është se po zhvillohet një dialog i drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit," tha Marcia Poole.

Ajo tha se UNMIK-u e mbështet dialogun ndërmjet dy presidentëve, Rugova e Tadiq, por ka thënë se mbajtja e një Konference ndërkombëtare kudoqoftë do të ndihmonte shumë në realizimin e një takimi të tillë.

Bisedimet e drejtpërdrejta politike ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, të kërkuara nga ky i fundit, janë kundërshtuar nga zoti Rugova dhe qeveria e Kosovës që kanë pohuar se për statusin përfundimtar të Kosovës nuk do të mund të negociohet.

Administrata ndërkombëtare, ndërkaq thotë se bisedime do të ketë, por fjala e fundit për statusin i mbetet KS të OKB-së.

"Kur flitet për bisedimet për statusin, Jessen-Petersen e ka bërë të qartë se ka shumë partnerë, por për momentin janë vetëm dy vende të sigurta rreth tavolinës së bisedimeve. Në njërën është e ulur Prishtina dhe në tjetrën Beogradi, dhe ne nuk e dimë se kush tjetër do të jetë përreth tavolinës," ka thënë zëdhënësja Poole.

Sidoqoftë, autoritetet ndërkombëtare sërish u kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës, opozitës dhe udhëheqësve politikë që të arrijnë një konsensus të gjerë rreth çështjeve kryesore për Kosovën gjatë muajve të ardhshëm, përfshirë edhe decentralizimin dhe përgatitjet për bisedimet për statusin përfundimtar.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>